English

In Memoriam/ Margarita Dhe Kristaq Tutulani

I TIRANE, 6 Korrik/ATSH- Nini Mano/- Si sot 68 vjet më parë, në 6 Korrik 1943, në Gosë të Kavajës, shumë pranë rrugës nacionale, fashistët pushkatuan vëlla e motër nga Berati, Margarita dhe Kristaq Tutulani, për fajin e vetëm, pjesëmarrjen në luftën kundër pushtimit fashit dhe çlirimin e vendit. Kristaqi, 24 vjeç dhe Margarita, 19 vjeç, lanë studimet jashtë vendit dhe u kthyen për të luftuar për çlirimin e atdheut, pasi aspironin për një Shqipëri të lirë, pa pushtues dhe demokratike. Për një Shqipëri të tillë, ishin dhe ëndrrat, edukata me të cilat ata u rritën në familjen Tutulani, një prej familjeve intelektuale që ndihmuan në krijimin e shtetit shqiptar. Gjyshi i tyre, avokat Dhimitër Tutulani, si delegat i Beratit, ishte një ndër firmëtarët e Aktit të Pavarësisë në Vlorë në 28 Nëntor 1912. Ndërsa i ati, Miltiadh Tutulani, edhe ky jurist, në vitet 1922-1933 ishte deputet i parlamentit shqiptar, ndërsa si ministrër i Drejtësisë dhe Financave, kontribuoi për hartimin e ligjeve të shtetit më të ri në Europë në ato vite deri sa vdiq në 1933. Margarita e Kristaq Tutulani, të edukuar që në fëmijëri në një mjedis intelektual dhe patriot, nuk nguruan kur braktisën studimet dhe j'u bashkuan luftës. Që fëmijë ishin mësuar të betoheshin para gjyshit me fjalët "Për Atdhe dhe flamur", ndaj dhe nuk mund të qëndronin asnjëanës në një luftë çlirimtare. Të dy u rreshtuan në frontin antifashit në qarkorin e Beratit ku zhvilluan aktivitete për të tërhequr në luftë masat e rinisë dhe grave. Pas kapjes së tyre të papritur në lagjen Mangalem në Berat në 4 korrik, që ka mbetur edhe sot pas 68 vitesh një mister, iu nënshtruan torturave nga më makabret në qelitë e SIM-it fashist italian në Berat, pa u dorëzuar. Ekzekutimi i tyre u urdhërua dhe egzekutua në 6 Korrik 1943. Vëlla e motër kanë lënë pas veç shembullit të vetmohimit, edhe një arkiv letrar dhe publicistik me vlera të rralla. Poezi, prozë, shënime publicistike, përkthime, skica romanesh, janë ajo që kanë mbetur nga Kristaq Tutulani, njohës i shkëlqyer i disa gjuhëve të huaja. Ish- liceist i Korçës, gjimnazist i Shkodrës dhe në fund, student i Drejtësisë në Universitetin e Firences, Kristaqi është i pari që e quajti Migjenin "uragan i ndërprerë në mes". Endërronte një Shqipëri demokratike, sipas modelit të iluminizimit francez. Shënimet që gjenden sot në arkivat e familjes Tutulani, sikurse dhe shumë detyra studentore, evidentojnë mjaft debatet mbi të drejtat civile dhe penale të tij në Itali me pedagogët e vjetër të Universitetit, etj. Nga Margarita kanë mbetur poezi, hartime, ditare, mbresa, përshtypje të ndryshme dhe shumë qendisje artistike. Në ditarin e saj kur ishte nxënëse shkolle, mes rreshtave, shkruante një mesazh, që më pas do të kthehej në moton e jetës :"Atdhe! Sa e ëmbël, e bukur, tingëlluese është kjo fjalë. Por që të kesh një atdhe, duhet që të jesh i lirë". Tronditja e madhe që u përjetua në Berat nga vrasja makabre e vëlla e motër Tutulani, jeta dhe shembulli i tyre jetësor, u përjetua brenda pak ditësh në qytetin e njëmijëdritareve. Beratasi Vehxhi Buharaja, një nga linguistët e shquar shqiptarë, përkthyesi i madh i poezisë persiane, shkroi një poezi vetëm 10 ditë pas vrasjes së tyre, me titull "Margaritës", mes të cilave citojmë "Zbardhi shpata,. u nxi dita,/Ra një trup,. u ngrit një emër,/Ra dëshmore Margarita,/Doli burri nga një femër.."./n.m/
KOMENTE
  • Asvete Sedi14:55 - 01 Mars 2011
    keta te dy jane heronj shqiptar