English

Incident në Gjirin e Vlorës, derdhen 30 ton bitum në mes të sezonit turistik

Vlorë, 6 Korrik, NOA – Një incident ka përfshirë Gjirin e Vlorës ndërsa zona rreth tij ndodhet në valën e parë të pushimeve të verës dhe asaj të pritjes së pushuesve.

Bëhet fjalë për lëshimin e rreth 30 tonë bitumi, të cilat konfirmohet se janë derdhur në tokë vetëm disa metra larg ujit të detit në këtë zonë të rëndësishme turistike të rivierës bregdetare të Jonit.

Ka qenë në fakt një proces i shkarkimit të hidrokarbureve, ndërsa një defekt ka bërë që e gjithë masa e bitumit të përhapet në tokë.

Ndërkaq, ekspertët bëjnë me dijeni se rreziku i depërtimit të kësaj sasie bitumi në ujërat e detit sa vjen e bëhet më i madh, edhe pse janë duke u bërë të gjitha përpjekjet nga punëtorët e zonës, që masa e konsiderueshme e bitumit të mos depërtojë në det.

Mësohet se bitumi i papërpunuar që u hodh në det, kthye në gjendje të ngurtë, ndërsa ai që u derdh në tokë vazhdon të jetë ende i lëngshëm, duke përbërë rrezik që të shkojë të derdhet në det.

Për ekspertët mjedisorë kjo është një katastrofë e madhe ekologjike dhe mjedisore për Gjirin e Vlorës e për më tepër, që ajo po ndodh tani, në afrimin e pikut të sezonit turistik.

n.e/NOA

KOMENTE