Inspektoret E Ushqimimit Dhe Aku, Kontroll Te Perbashket Tek Furrat E Bukes
-Kontrollet e ushqimit do të shërbejnë si një fazë përgatitore për kalimin e funksioneve të inspektimit nga strukturat e MBUMK, MSH dhe organeve të qeverisjes vendore tek AKU -
TIRANE, 6 Korrik /ATSH-E.Xhajanka/- Kushtet higjieno-sanitare, siguria dhe cilësia e produkteve ushqimore dhe marrja e masave për eliminimin e fenomeneve që cënojnë shëndetin e konsumatorit dhe konkurrencën e ndershme në treg, ishin objekt i kontrolleve që organizoi sot Inspektoriati Ushqimor me AKU tek furrat e bukes në zonën e rrugës së "Kavajës" deri në Kombinat.
Nga kontrolli i kryer në terren, inspektorët evidentuan se furrat e bukës, prodhojnë në kushte të mjaftueshme të sigurisë ushqimore. Përparësi të veçantë pati dhe inspektimi në drejtim të eliminimit të faktorëve që çojnë në shfaqjen e sëmundjes së patates, e cila në kushtet e temperaturave të larta bëhet me evidente dhe kërkon një përkujdesje të veçantë.
Nga ana e inspektorëve u pa me përparësi ky problem dhe iu kërkua të gjithë operatorëve që të zbatohen me rreptësi normat tekniko-teknologjike dhe higjieno-sanitare për të bërë të mundur parandalimin e kësaj sëmundjeje. Gjithashtu u morën mostra për të analizuar lëndën e parë në rastin konkret miellin, si dhe produktin përfundimtar, bukën. Këto kontrolle do të shërbejnë si një fazë përgatitore gjatë kalimit të funksioneve të inspektimit nga strukturat e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe organeve të qeverisjes vendore, tek Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. AKU ndërtohet mbi një koncept solid reforme: ai ka shkrirë në një 5 inspektorate.
Reforma, e cila po ndërmerret aktualisht me kalimin gradual të funksioneve, synon ta bëjë atë serioz, të ndershëm dhe kompetent. Kjo reformë synon gjithashtu, që AKU dhe inspektoratet e vendit në tërësi, t'i nxjerrë nga arbitrariteti. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka një nga misionet më të rëndësishme në vend, garantimin e sigurisë ushqimore si dhe vendosjen e standardit të ushqimit. Në tërësinë universale të standardeve, asnjë standard nuk është më i rëndësishëm, se sa ai i ushqimit. Kështu që ky mision ka rëndësi jetike për çdo qytetar, për çdo familje, për shoqërinë dhe për Shqipërinë në tërësi. Është e rëndësishme të theksojmë se kontrolli do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vazhdim për të garantuar sigurinë ushqimore./s.s./