Francezi 27-vjeçar ishte strumbullari i bandës kriminale ku bën pjesë dhe një shqiptar që u arratis. Deklaronin import patatinash të ambalazhuara nga Shqipëria në Greqi, por e mbushnin makinën me drogë dhe armë
Athinë, 6 Korrik 2010 NOA – Katër shtetas grekë, një rumune dhe një tjetër, francez, u arrestuan nga Sigurimi grek i Shtetit në bashkëpunim me sektorin e Policisë Antidrogë të Atikës, pranë kufirit me Shqipërinë, pasi u gjetën me një sasi lënde narkotike që e trafikonin përmes vendit tonë, raporton korrespondenti i agjencisë NOA duke cituar burime zyrtare policore greke.Trafiku i drogës por dhe i armëve, bëhej fare hapur, duke përfituar nga “gjumi” që kishte kapur në vite policinë shqiptare dhe atë greke, sepse me furgonin transportoheshin patatina të ambalazhuara që prodhohen në jug të Shqipërisë. Por patatinat ishin vetëm maskim i drogës dhe armëve.
Gjashtë të arrestuarit përballen me akuzat e krijimit të organizatës kriminale dhe veprimtarisë brenda saj në bashkëpunim, akuza me të cilat do të kalojnë në gjykatë për rivlerësim mase sigurie.Nga shtetasit grekë, janë një burrë 40 vjeçar me dy djemtë e tij, përkatësisht 20 dhe 23 vjeç, si dhe një vajzë 19 vjeçare. Kurse të arrestuarit e tjerë janë një francez 27 vjeç dhe një rumune, 29 vjeçare.
Policia greke tha se ka shpallur në kërkim një shtetas shqiptar që ishte pjesë e bandës që trafikonte armë dhe drogë nga Shqipëria.
Nga hetimi ka dalë se banda kriminale prej disa vitesh, lëvizte lirisht përmes Shqipërisë dhe dërgonte në Greqi armë zjarri dhe lëndë narkotike, kryesisht marijuanë.
Ngarkesa më e fundit ishte ajo e ditës së djeshme, kur 27-vjeçari francez me makinën e tij, futi pa asnjë vështirësi në territorin grek përmes pikës kufitare me Shqipërinë, sasinë prej 156 kilogramë lëndë narkotike të llojit marijuanë.
Ai e mbajti ngarkesën e drogës për disa orë në Janinë dhe më tej e dërgoi në Athinë me mjetin e tij, por nuk e dinte se ishte në kurth pasi po ndiqej nga makina civile që bartnin njerëz të Sigurimit (Asfalia) dhe agjentë antidrogë.
Kur u takua me pesë të tjerët, u bë dhe arrestimi në grup i trafikantëve, por policia tha se nuk arriti të kapë shqiptarin, pjesë e bandës pasi u zhduk në drejtim të paditur.
Policia sekuestroi sasinë e drogës, 35 kuti me patatina, 4 mijë euro dhe dhjetë telefona celularë.
n.s/NOA