Komisioni I Jashtëm Mbështet Kandidaturat Për Ambasador Në Sllovaki Dhe Danimarkë
TIRANË, 6 Korrik/ATSH/.- Komisioni parlamentar i Politikës së Jashtme, gjatë një seance dëgjimore, mbështeti sot dy kandidaturat për ambasador të Republikës së Shqipërisë, Arben Cicin në Mbretërinë e Danimarkës dhe Agim Isakun në Republikën e Sllovakisë.
Gjatë prezantimit të përgjithshëm të kandidaturave, përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme, theksuan rëndësinë e veçantë që i jep qeveria hapjes së selive diplomatike në të gjitha vendet e BE-së, si hapa strategjikë në procesin e integrimit evropian të vendit.
Kandidati Cici gjatë prezantimit për deputetët, shpjegoi misionin e tij si diplomat karriere dhe vlerësoi emërimin si ambasador në Mbretërinë e Danimarkës, një nga vendet më të vjetra të Bashkimit Europian dhe me influencë të veçantë në rajonin e Ballkanit.
Prioritet të axhendës së tij diplomatike në Mbretërinë e Danimarkës, tha Cici, do të jetë bashkëpunimi mes parlamenteve të të dy vendeve, në vijim të diplomacisë parlamentare, programeve të asistencës në fushën e mbrojtjes, arsimimit, edukimit, zhvillimin të zonave të varfra, etj.
Kandidati për ambasador në Sllovaki, Agim Isaku tha se dy vendet kanë fusha me interes të përbashkët dhe se hapja e ambasadës atje, do të çojë dhe më tej përpjekjet diplomatike për integrimin evropian të Shqipërisë.
/a.s//n.m/