Kosova Plotesisht E Angazhuar Per Intensifikimin E Dinamikes Se Procesit Te Integrimit
PRISHTINË, 6 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Qeveria e Kosovës është plotësisht e angazhuar në intensifikimin e dinamikës së procesit të integrimit, me plot përgjegjësi dhe përkushtim, duke e mbështetur vullnetin në veprime konkrete, tha sot kryeministri Hashim Thaçi. Ai ka hapur Takimin Plenar të Dialogut për Procesin e Stabilizim Asociimit (DPSA), i cili po mbahet në Prishtinë, me pjesëmarrjen edhe të Drejtorit për Zgjerim të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Pier Mirel, përfaqësuesve të Komisionit Evropian dhe të përfaqësive diplomatike.
"Intensifikimi i dialogut politik dhe teknik me Komisionin Evropian, i cili po ndodh këto ditë, kontribuon në avancimin e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian", theksoi kryeministri Thaçi.
Në takimin e sotëm, institucionet e Republikës së Kosovës do të ofrojnë informacione më të fundit sa i përket gjendjes reale në Kosovë, duke përfshirë progresin e arritur që nga publikimi i Raportit të Progresit 2009.
Kryeministri vlerësoi se "që nga takimi i fundit i mbajtur në dhjetor të vitit të kaluar, Kosova ka kaluar nëpër një periudhë shumë të rëndësishme dhe intensive për vendin dhe rajonin. Njohja e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran ka vazhduar në mënyrë të kënaqshme. Këto njohje do të rriten pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë", u shpreh ai.
"Ne shpresojmë që pesë shtetet anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë dhe të njohin realitetin e ri në Ballkanin Perëndimor", theksoi kryeministri Thaçi. "Ne jemi tërësisht të përkushtuar për procesin e integrimeve euro-alantike të Kosovës, si qëllimi ynë kryesor strategjik", tha kryeministri Thaçi.
"Ne jemi të përkushtuar që të përqafojmë vlerat evropiane dhe të garantojmë paqen dhe sigurinë në rajon, si dhe të thellojmë bashkëpunimin me fqinjët rajonalë", theksoi kryeministri kosovar. Ai bëri të ditur se Kosova ka ndërmarrë masa dhe veprime konkrete në lidhje me përmbushjen e të gjitha kritereve të nevojshme dhe aprovimin e ligjeve në fushen e sundimit të ligjit dhe që ndërlidhen me procesin e liberalizimit të vizave.
Ai falënderoi përfaqësuesit e Bashkimit Evropian për ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme për institucionet e Kosovës për anëtarësim në familjen e madhe evropiane. /a.ke/