English

Kosovë - Sejdiu: Kundërshtarët E Pavarësisë Do Të Dalin Të Humbur

PRISHTINË, 6 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, theksoi sot se kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës do të dalin të humbur, duke vënë në dukje se pavarësia, që ka hyrë në vitin e tretë të saj, është njohur nga 69 shtete demokratike anekënd botës. Presidenti Sejdiu ka folur në një akademi me rastin 12 vjetorit të betejës së Loxhës, rënies së luftëtarëve të lirisë, Rustem Bruqi, Lumni Surdulli, Enver Alaj si dhe përkujtimit për Komandantin e Zonës së III-të Operative të Dukagjinit, Kolonel Tahir Zemaj. "Kosova ka arritur gjithsesi rezultate të jashtëzakonshme, por, njëkohësisht, ballafaqohet me vështirësi ekonomike, dhe me probleme të sigurisë në pjesën veriore të vendit, ku strukturat paralele serbe, të instruktuara drejtpërdrejt nga Beogradi zyrtar, vazhdojnë të shkaktojnë incidente e trazira të shpeshta, me qëllim që të dëshmojnë, siç pretendojnë ata, se Kosova është një vatër e krizës", tha ai. Por, përkundër kësaj, vlerësoi Presidenti Sejdiu "kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës do të dalin të humbur sërish, ashtu siç kanë dalë edhe më parë, sepse bota po e kupton dita-ditës kush qëndron prapa tendencave për ta penguar progresin në Kosovë". Presidenti Sejdiu dekoroi në këtë Akademi përkujtimore strategun e betejës së Loxhës, kolonel Tahir Zemajn, me Urdhrin 'Heroi i Kosovës' si dhe me 'Medaljen e Artë të Pavarësisë' dëshmorët Enver Alaj dhe Lumni Surdulli. /s.s./
KOMENTE