Tiranë, 6 Korrik, NOA - Këshilli i Rregullim-Territorit të Republikës së Shqipërisë (KRRTRSH) nën drejtimin e kryeministrit Berisha, gjatë mbledhjes së tij të sotme mori në shqyrtim dhe miratoi disa vendime të rëndësishme në fushën e energjisë.
Nga ana e tij, Berisha veçoi të një rëndësie të veçantë vendimet për ndërtimin e parqeve eolike dhe miratimin e studime për sheshe ndërtimi për disa hidrocentrale.
Kështu, KRRTRSh-ja miratoi detyrën e projektimit për planin e përgjithshëm rregullues të zonës turistike Vilë-Bashtovë, miratimin e planit të përgjithshëm rregullues të kësaj zone, si dhe studimet urbanistike pjesore në zbërthim të këtij plani, komuna Gosë, Kavajë.
Më tej, në këtë mbledhje u caktua edhe detyra e projektimit për Masterplanin e zonës turistike Pogradec-Drilon dhe masterplanin e zonës turistike Pogradec-Drilon, në komunën Buçimas, qarku Korçë.
Sikundër u caktua edhe detyra e projektimit të Masterplanit për ndërtimin, instalimin dhe shfrytëzimin e centraleve elektrike me erë “Parku eolik KAPPET”, komuna Çerravë, Vreshtas, Qendër Bilisht, qarku Korçë.
Në fund, u la si detyrë edhe projektimi i Masterplanit të Parkut Energjetik dhe Eolik në Kryevidh të Tiranës.
Ndërsa në lidhje me ndërtimin e hidrocentraleve, u caktua që të realizohej studimi urbanistik dhe sheshi i ndërtimit për hidrocentralet “Bele1”, “Bele2”, “Orgjost i ri”, “Topojan 1”, “Topojan 2”, në komunat Zapod dhe Topojan, qarku Kukës.
Hidrocentrale këto me një investim në vlerën e 30 milion eurove, do të kenë një fuqi të instaluar prej 25.3 megavat dhe një prodhim prej 120 milion kilovat/orë në vit.
n.e/NOA