English

Krrtrsh Miraton Studimin E Projekteve Për Ndërtimin E Dy Parqeve Eolike Dhe Të Disa Hec-Ve

- Kryeministri Berisha vlerëson rëndësinë e këtyre projekteve të rëndësishme në fushën e energjisë - TIRANË, 6 Korrik/ATSH-Maela Marini/.- Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë (KRRTRSH) miratoi sot, studimet e disa projekteve të rëndësishme në fushën e energjisë, ndër të cilat ndërtimin e dy parqeve eolike dhe të disa hidrocentraleve të vogla. Kryeministri Sali Berisha vlerësoi rëndësinë e këtyre projekteve të rëndësishme në fushën e energjisë. Pika e parë e rendit të ditës nisi me shqyrtimin e detyrës së projektimit të masterplanit për ndërtimin, instalimin dhe shfrytëzimin e centraleve elektrike me erë KAPPT, në komunat Cerravë, Vreshtas, Qendër Bilisht në Qarkun e Korçës. Në prezantimin e projektit, përfaqësuesi i kompanisë "Hera sh.p.k", vuri në dukje se projekti shtrihet në një sipërfaqe prej 4125 ha, ndërsa theksoi se është bërë një studim i mirëfilltë për mbrojtjen e mjedisit. Projekti parashikon ndërtimin e 82 aerogjeneratorëve me fuqi minimale prej 2 MW-3 MW secili. Sekretariati teknik i KRRTRSH-së miratoi këtë studim, duke sugjeruar që kompania të marrë edhe miratimin e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë dhe Restaurimeve, pasi në këto zona ka pasuri arkeologjike. KRRTRSH miratoi edhe detyrën e projektimit dhe masterplanin e parkut energjetik eolik në Kryevidh të qarkut të Tiranës. Investimi shkon në vlerën 244 milionë euro, ndërsa kompania parashikon dhe ndërtimin e rrjetit rrugor prej 70 km, kryesisht optimizimin e rrugëve ekzistuese sipas parametrave bashkëkohore. Në këtë zonë mendohet vendosja e 63 aerogjeneratorëve, ndërsa u propozua të bëhet një vendosje simetrike e tyre, pasi projekti ndodhet në një zonë turistike. Duke theksuar se kjo është një zonë e përshtatshme për park eolik, Kryeministri Berisha kërkoi që në mënyrë absolute, të jepet garanci e plotë se projekti sjell zero ndotje akustike në zonën turistike. "Në këtë territor përparësi ka turizmi dhe distanca e turbinave duhet të jetë e atillë që në zonën turistike të mos ketë zhurma. Nuk do të mund të pranohet që ky park të krijojë zhurmë për gjithë këtë zonë turistike", tha Berisha. KRRTRSH miratoi gjithashtu studimin urbanistik dhe sheshin e ndërtimit për hidrocentralet Bel 1, Bel 2, Orgjost i Ri, Topojan 1, Topojan 2, në komunat Zapod dhe Topojan të qarkut të Kukësit. Projekti shtrihet në një zonë me sipërfaqe 580 km katror nga e cila 50 për qind është në territorin shqiptar dhe 50 për qind në Kosovë. Projekti shfrytëzon pothuajse të gjithë potencialin hidrik të zonës dhe parashikon ndërtimin e 5 HEC-eve me 2 turbina për secilin, me një fuqi të instaluar prej 25.3 megavat. Projekti ka një kosto prej 30 milionë euro në vit dhe parashikohet që do të prodhojë 120 milionë kilovat/orë energji në vit. Gjatë ndërtimit të këtyre HEC-eve pritet të punësohen 380 punëtorë, ndërsa pas ndërtimit të tyre, do të punësohen me kohë të plotë 65 punëtorë. Nisur nga fakti se pala kosovare parashikon ndërtimin e HEC-it të Zhurit, Kryeministri Berisha tha se "do të krijohet një komision ndërkufitar me palën kosovare, i cili do të shqyrtojë çështjen e ujërave ndërkufitare dhe shfrytëzimin e tyre". "Do të respektohen rregullat ndërkombëare, dhe kjo çështje do të zgjidhet në bazë të interesit kombëtar", tha Berisha. Më tej KRRTRSH miratoi edhe sheshin e ndërtimit për HEC-in Sasaj në komunën Lukovë, i cili parashikon ndërtimin e një tuneli 2.35 kilometra dhe një kapacitet prodhues prej 38 milion kilovat/orë energji në vit. Për ndërtimin e këtij HEC-i u kërkua rinovimi i lejes mjedisore si dhe paraqitja e projektit arkitektonik të godinës, nisur nga fakti se ky HEC do të ndërtohet në një zonë turistike, rreth 40 metër larg detit. Kryeministri Berisha vlerësoi se "edhe pse me një kapacitet të vogël prodhues, ndërtimi i këtij HEC-i është mjaft i rëndësishëm, pasi përmirëson në mënyrë të ndjeshme treguesit e eneregjisë elektrike në zonën ku ndërtohet". Në mbledhjen e sotme u miratua studimi urbanistik dhe sheshi i ndërtimit për HEC-in "Peshk, Martanesh" të Bulqizës. Ky HEC ka një fuqi prej 3.4 MW dhe me prodhim mesatar vjetor të energjisë rreth 18 milionë kilovat/orë. KRRTRSH miratoi sot dhe ndryshimin e projektit të Fabrikës së Çimentos "Colacem", brenda kufijve të lejes së sheshit të miratuar më parë./n.m/
KOMENTE