Lajme Shkurt Nga Korça
- Do të rishtrohen 100 mijë metra katërore kalldrëme -
Në qytetin e Korçës do të rishtrohen 100 mijë metra katërore kalldrëme, bëri të ditur sot nën/kryetari i bashkisë të këtij qyteti, Arjan Bejko.
Sipas tij, të gjitha rrugët tradicionale të qytetit të Korçës, që kanë qenë të shtruara me kalldrëme dhe që janë dëmtuar gjatë punës për kanalizimet e ujrave të zeza, do të rishtrohen po me kalldrëme, me qëllim ruajtjen e traditës dhe rritjen e vlerave turistike të këtij qyteti.
Kjo gjë është mundësuar në kuadër të projektit të kanalizimeve të ujrave të zeza të qytetit të Korçës, që është financuar në katër faza nga qeveria gjermane nëpërmjet bankës KFW, me një financim prej rreth 35 milionë euro, nga e cila faza e katërt, që është në proces, 15 milionë euro. Nga kjo shumë, banka gjermane KFW do të financojë me 3.5 milionë euro rishtrimin e rrugëve me kalldrëme, ku kontribuon edhe bashkia e Korçës me një shumë prej 1.5 milionë euro.
Sipas nënkryetarit Bejko, ka përfunduar tenderimi dhe janë përzgjedhur firma që kanë kalldrëmxhinj me përvojë në mënyrë që rrugët të jenë të një cilësie të lartë, që Korça të ruajë traditat arkitekturore dhe të tërheqë sa më shumë turistë./b. fejzulla/
Skulptura e Parkut, Korça, 2010
"Skulptura e Parkut, Korça, 2010", titullohet projekti për krijimin e galerisë së hapur të skulpturës moderne në parkun "Rinia" në qytetin e Korçës.
Për realizimin e këtij projekti punuan nga data 25 qershor deri në 5 korrik, tetë skulptorë nga vende të ndryshme të botës. Në ceremoninë e përurimit të përfundimit të tetë skulpturave, kryetari i bashkisë se Korçës, Niko Peleshi, falenderoi skulptorët për punën plot pasion, duke nënvizuar se "Korça është vendi i parë në Rajon, që realizon një galeri të hapur të artit modern me skulptura të gdhëndura në gur".
Ndërsa skulptori italian, Ugo Antinori, tha se "jam mrekulluar nga bukuria e qytetit të Korçës dhe se vendosja e veprave të artit në mjediset e saj çlodhëse, do ta bëjë atë edhe më tërheqëse për turistët".
Për realizimin e projektit "Skulptura e Parkut, Korça, 2010", sipas kryetarit Peleshi, konkurruan 80 skulptorë nga vende të ndryshme të botës dhe një juri ndërkombëtare përzgjodhi 8-skulptorë, 7 nga shtete të ndryshme të botës, si Italia, Spanja, Gjermania, Siria, etj., dhe një nga Korça.
Ky është viti i tretë që në Korçë, kolonia e skulptorëve, gdhend nga tetë skulptura dhe ky projekt do të vazhdojë edhe dy vjet, me synim që të realizohen 40 skulptura, të cilat do të vendosen në parkun "Rinia", ku do të krijohet një galeri e hapur e skulpturës moderne. /b. fejzulla/ s.d/