English

Maqedoni: MPB diskriminon shqiptarët për të drejtën e nënshtetësisë

Shkup, 6 Korrik, NOA – Mijëra shqiptarëve të moshuar me plotë 70 e 80 vjet të mbushura nuk i jepet shtetësia e Maqedonisë. Emrat e tyre janë në procedurë, por ato nuk përfitojnë asnjëherë të drejtën e shtetësitë së këtij vendi, pasi që nuk plotësojnë kushtet.

Një numër i kësaj kategorie ka ndërruar jetë, kështu duke lindur e vdekur në territorin e Maqedonisë, dhe asnjëherë pa përfituar të drejtën e nënshtetësisë. Faji për këtë është origjina e tyre nga Kosova apo trevat e tjera shqiptare.

Së fundi në një familje shkupjane, ka ndërruar jetë gjyshja e tyre 80 vjeçare, të cilës nuk i ishte dhënë shtetësia, sepse fillimisht gjatë vitit 1995-2000, refuzohej për shkak të rrezikut të shtetit sipas nenit të famshëm “9” të Ligjit të atëhershëm për nënshtetësinë, ndërsa pas kësaj periudhe me ndryshimet e ligjit në 2004, ajo refuzohej sepse nuk e njihte gjuhën maqedonase.

E moshuara me origjinë nga rajoni i Kaçanikut që nga mosha 10 vjeçare kishte jetuar në Shkup, mirëpo kishte ndërruar jetë me shpresën se një ditë ndoshta do të përfitonte të drejtën e nënshtetësisë së këtij vendi.

Ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Naser Zyberi thekson se është i njohur për këto raste dhe trajtime të tilla. “Është problem i vjetër për dy dekada, një problem jashtëzakonisht rigoroz që shkelen të drejtat e njeriut. Ka raste të tilla për të cilat jam i njohur që jetojnë 60 vite në Maqedoni dhe nuk gëzojnë të drejtën e nënshtetësisë dhe kjo dukuri është tek shqiptarët.

Kjo është e qartë, sepse institucionet në Maqedoni me këtë dëshirojnë të pengojnë rritjen e numrit të shqiptarëve në kuadër të popullsisë së përgjithshme në Maqedoni”, ka theksuar Zyberi, i cili rekomandon që kjo çështje të hapet si debat edhe pranë institucioneve ndërkombëtare, sidomos pranë atyre të BE-së, ku po aspiron Maqedonia dhe politika e saj zyrtare.

Nga zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë kanë theksuar se ndër rastet e paraqitura ka pasur edhe ato të persona me moshë të vjetër. “Ne apelojmë që të vijnë akoma ti shtrojnë problemet e tyre. Por gabimi është se qytetarët rrallë herë paraqiten në zyrat tona. Megjithatë, vlerësojmë se është zvogëluar numri i personave që kërkojnë të drejtën e nënshtetësisë dhe që ballafaqohen me probleme”, ka theksuar zyra në Tetovë.

Qytetarët e tillë të dëshpëruar nga mostrajtimi dhe neglizhenca institucionale heqin dorë nga odiseada për të arritur tek shtetësia e Maqedonisë dhe pajisen me shtetësitë e vendeve të origjinës, mirëpo duke qëndruar në vendbanimet e tyre ku kanë lindur apo kanë kaluar një pjesë të madhe të jetës së tyre.

NOA-INA

KOMENTE