Meta:Koalicioni Pd-Lsi, Garantoi Stabilitet Politik Dhe Qeverisës
S
TIRANE, 6 Korrik /ATSH- A.Gegvataj/ - "Kjo kohë tregoi se koalicioni qeverisës me PD ishte zgjedhja e duhur në një moment të rëndësishëm dhe delikat", deklaroi sot Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, gjatë mbledhjes së kryesisë së kësaj partie, ku u analizua situata politike dhe vlerësimi i performancës së përfaqësueve të LSI-së në qeverisjen e vëndit.
Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, deklaroi se "me këtë zgjedhje ne garantuam stabilitetin politik dhe qeverisës të vendit si dhe kontribuam për funksionimin dhe mbarëvajtjen e institucioneve kushtetuese"
Ai tha se "morëm përgjegjësi në një moment të rëndësishëm për ritmin e reformave qeverisëse, që ndihmojnë për integrimin europian të vëndit".
Meta nënvizoi se "Shqipëria brënda kësaj periudhe ka përmbushur të gjtha kriteret për liberalizimin e vizave, e cila përbën bazën e vlerësimit pozitiv të KE-së për heqjen e vizave, propozim që u mbështet unanimisht nga të gjitha vendet e BE-së edhe në samitin e Sarajevës".
Duke vënë në dukje arritjet e qeverisë së koalicionit PD-LSI, Meta shtoi se "Shqipëria eci përpara me aplikimin për në BE, ku iu dorëzua Pyetësori dhe tashmë i ka dhënë të gjitha përgjigjet e pyetjeve për të ecur më tej drejt statusit të vëndit kandidat dhe anëtarësimit në BE".
Sipas tij, "kjo përbën edhe një proces shumë kompleks dhe që do të kërkojë angazhim të vazhdueshëm nga të gjithë ne".
Për këtë Meta falenderoi të gjithë ata që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë për përmirësimin e qeverisjes dhe realizimin e gjithë reformave në vënd.
"Falenderoj të gjithë ata të cilët mbështesin dhe kontribuojnë çdo ditë me inkurajimin e pjesëmarrjes sonë, por edhe me përmirësimin e performacës së gjithë përfaqësuesve tanë në të gjitha nivelet", theksoi Meta
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, vlerësoi gjithashtu punën e bërë në lidhje me riorganizmin e strukturave të kësaj partie si dhe kandidatët që marrin përsipër që të drejtojnë LSI-në në kryeqytet./s.s./