Ekskluvize NOA
Tiranë, 6 Korrik 2010 NOA – I veshur shik, me kostum në ngjyrë të çelët, me bashkëshorten gjithnjë të hijshme dhe veshur plot elegancë, ish-Kryeministri dhe lideri historik i Partisë Socialiste, Fatos Nano, është shfaqur sot në një tjetër aktivitet.
Nga Lunxhëria e para pak ditëve, Nano dhe Xhoana kanë zbritur më pranë, në kryeqytet, dhe pikërisht në mjediset e Ambasadës Amerikane, në pritjen e shtruar nga kreu i diplomacisë amerikane në Shqipëri.
Në shoqërinë e shumë socialistëve dhe demokratëve që e takonin pareshtur, në ato minuta që Nano mbrëmjen e sotme u gjend në pritjen zyrtare, ai ndjehej vërtet si “mbreti” i eventit.
Duke mos hequr dorë nga batutat e vazhdueshme që jo rrallë trazojnë politikën shqiptare, edhe këtë herë, Nano ka ngacmuar opozitën që vetë e riktheu në vitin 2005 kur humbi zgjedhjet e përgjithshme.
“Ju do thoni ç’do të thotë OJQ. E po jua them unë, OJQ do të thotë Opozitë Jo Qeveritare”, ka “këputur” batutën e radhës Nano, ndërsa në krah i qëndronte e hirshmja Xhoi që buzëqeshte plot nur, ndërkohë që të ftuar të shumtë u “shkrinë” së qeshuri me batutën që indirekt ngacmonte jo vetëm kreun aktual të PS por edhe OJQ-të që i vijnë rrotull.
Në këtë mënyrë, Nano ka shpotitur G99, prej disa muajsh parti politike, më herët OJQ me rrënjët tek MJAFT. e sigurisht edhe “të voglin” Erion Veliaj që dhe më parë nuk ka duruar ta ngacmojë e ironizojë.
E batuta e Nanos për OJQ-të, nuk është aq rastësore.
Pikërisht këto ditë në gjirin e opozitës ka shpërthyer një debat që mbahet ende ndezur, për bashkimin e mundshëm në PS të disa partive opozitare, përfshirë OJQ-në e Erion Veliajt.
E ndërsa ideja u hodh në treg jo vetëm nga të “vegjlit” por edhe nga eksponentë të PS, ajo ka gjetur mospajtim nga krerët e partive të rëndësishme në opozitë, si Skënder Gjinushi i PSD apo Paskal Milo i PDS.
Mbetet të shohim se çfarë do të ndodhë...
r.n/NOA