English

Nis zbatimi i projektit për ngrohje me energji diellore në çerdhet dhe shkollat e Tiranës

Tiranë, 6 korrik, NOA – Shfrytëzimi i energjisë diellore për ngrohje, një alternativë e shpallur në mbarë botën si një ndër të vetmet rrugë për mbrojtjen e mjedisit, është projekti më i ri që Bashkia e Tiranës, do ta përdorë për ngrohjen e çerdheve dhe shkollave të kryeqytetit.

Ky project ambicioz, i mbështetur nga qeveria hollandeze, që synon të shtrihet në të gjitha këto struktura sociale, u lançua sot në dy prej çerdheve të kryeqytetit, në çerdhen nr.1 atë nr. 8.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama vlerësoi rëndësinë e qasjes ndaj kësaj energjie alternative, duke e cilësuar atë si një gur themeli dhe një kontribut të jashtëzakonshëm, drejt rritjes së cilësisë së jetës dhe në funksion të transformimit rrënjësor të kulturës sonë mjedisore.

“Unë i jam shumë mirënjohës Ambasadorit dhe qeverisë hollandeze për mbështetjen e një ideje të re, e një ideje që sot hap rrugën e saj të jetësimit në një çerdhe të Tiranës, por që është një rrugë, të cilën ne dëshirojmë ta ndjekim deri në fund, për të transformuar burimin e energjisë së çerdheve dhe shkollave të Tiranës, nga energjia elektrike tek energjia diellore, në këtë vend të bekuar nga Zoti, për sasinë e jashtëzakonshme të kësaj energjie diellor”, theksoi kryebashkiaku Rama.

Sipas tij zbatimi i këtij projekti vjen nën shembullin e vendeve më të përparuara dhe në funksion të transformimit rrënjësor të kulturës sonë mjedisore, që sipas Ramës “ne mund të bëjmë me investime të arsyeshme dhe kosto të ulura për të ardhmen, një mrekulli të vërtetë, e cila rrit ndjeshëm cilësinë e jetës dhe njëkohësisht rrit ndjeshëm edhe cilësinë e vetë marrëdhënies sonë me mjedisin, duke bërë të mundur që në të gjitha këto struktura sociale, të ketë një energji të pandërprerë, duke përfituar nga dielli dhe pa shpenzuar burimin tjetër shumë të çmuar të energjisë elektrike që vjen nëpërmjet ujit”.

Kryetari i Bashkisë së kryeqytetit tha se “është shumë e rëndësishme që ky projekt të shkojë përpara dhe për këtë arsye, si një gur themeli në këtë rrugë që ne duam të ndërtojmë sëbashku, mbetet pa diskutim një kontribut i jashtëzakonshëm, për të cilën ne i jemi mirënjohës Qeverisë dhe Ambasadorit të Mbretërisë së Hollandës”.

Në këtë kontekst të mbështetjes financiare të këtij projekti kryebashkiaku Edi Rama u shpreh se “jam shpresëplotë, se në këtë mënyrë, ne do të lehtësojmë edhe rrugën e thithjes së fondeve dhe të realizimit të investimeve të tjera, përmes një shembulli konkret, funksional, përmes një shembulli që do të flasë vetë për cilësinë dhe njëkohësisht për të gjitha të mirat, që sjell qasja ndaj kësaj energjie alternative, që e përsëris, në vendin tonë është në një sasi të jashtëzakonshme, në pjesën më të madhe të vitit”.

Nisma e ndërmarrë ka të bëjë me vendosjen e paneleve diellore për ngrohjen e ujit sanitar si dhe të sistemit ngrohës në këto institucione, duke siguruar një energji të pandërprerë dhe duke përfituar nga dielli, pa shpenzuar burimin tjetër, shumë të çmuar të energjisë elektrike.

Ky project nën logon “Energjia diellore, alternativë ekonomike dhe pro-mjedisore” u bë i mundur në sajë të bashkëpunimit të ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Tiranë, Qendrës Rajonale të Mjedisit REC si dhe Qendrës Mjedisore EDEN.

Si rezultat i këtij projekti u instaluan 66 panele diellorë për ngrohjen e ujit sanitar dhe sistemit ngrohës në dy çerdhe; të cilët do të mundësojnë kursimin e energjisë elektrike të përdorur për ngrohjen e ujit sanitar; kursimin e lëndës djegëse, të përdorur për sistemin ngrohës; uljen e ndotjes së shkaktuar nga ngrohja, me lëndë djegëse si dhe rritjen e numrit të ditëve me ngrohje në çerdhe.

Me anë të këtij projekti, Bashkia e Tiranës synon të përmirësojë cilësinë e jetesës së 272 fëmijëve dhe 40 edukatoreve të çerdheve nr. 1 dhe 8 në Tiranë, përmes promovimit të energjisë diellore, si energji alternative dhe miqësore me mjedisin, për ngrohjen e ambienteve gjatë periudhës së dimrit si dhe ngrohjen e ujit sanitar përgjatë gjithë vitit.

mit/NOA

mit/NOA
KOMENTE