Tiranë, 6 korrik, NOA – Ka shtënë mbi një të ri me armë zjarri duke e plagosur dhe ka mundur të largohet nga vendngjarja pa u kapur nga uniformat blu.
25 vjeçari nga Peshkopia, Rruzhdi Sami Zoku, është shpallur në kërkim nga policia e Tiranës, pasi dyshohet se dje në rrugën “Artan Lenja” në Tiranë, ka qëlluar me armë zjarri për motive të dobta, 24 vjeçarin Roland Haziz Doku, me banim në Tiranë.
I riu nga Peshkopia, Rruzhdi Zoku, ka tentuar ta vrasë Roland Dokun, bashkëmoshatarin e tij, por ka arritur vetëm ta plagosë, pasi është përpjekur t’u largohet forcave të rendit.
I plagosuri, sikundër bën të ditur policia e shtetit ndodhet aktualisht në Spitalin Ushtarak në Tiranë, momentalisht jashtë rrezikut për jetën.
Sipas shefes për Marrëdhëniet me Publikun, në drejtorinë e policisë së Tiranës, Alma Katragjini, specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, po punojnë intesivisht për kapjen e të riut 25 vjeçar Rruzhdi Zoku, i cili akuzohet për veprën penale të vrasjes me dashje.
Dyshohet se ky shtetas është përkrahur gjatë momenteve të ngjarjes nga 36 vjeçari Hajredin Laçi, i cili do të ndiqet në hetim të lirë për konsumimin e veprës penale të “Përkrahjes së autorit të krimit”.
mit/NOA