Policia Forcon Masat Për Parandalimin E Aksidenteve Rrugore
TIRANË, 6 Korrik /ATSH - M.Shkurta /. - Policia do të vijojë edhe më tej forcimin e masave për parandalimin dhe uljen e aksidenteve dhe lëvizjen e lirë të mjeteve e kalimtarëve në rrugë, ndërsa nga sot të gjitha automjetet që qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara në rrugët kryesore dhe autostradat do të diktohen nga radarë të vendosur në njësinë e Kontrollit të Autostradave, në Laprakë të Tiranës.
Vetëm dje, në kryeqytet u ndëshkuan për shkelje të Kodit Rrugor 420 drejtues mjetesh, ndërsa u janë pezulluar lejet e drejtimit 4 prej tyre.
Policia e Tiranës bëri të ditur të martën për ATSH-në se, Njësia Rajonale e Policisë Rrugore në bashkëpunim me shërbimet e Patrullës së Përgjithshme do të vazhdojnë kontrollet për vendosjen e rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj.
Ndërkaq sot ka nisur nga puna sistemi i radarëve të vendosur në njësinë e Kontrollit të Autostradave, në Laprakë të Tiranës që do të diktojnë të gjitha automjetet që qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara nëpër rrugët kryesore dhe autostradat e territorit të Shqipërisë.
Qëllimi kryesor është ulja e numrit të aksidenteve rrugore që pësojnë rritje gjatë sezonit veror, kur numri i automjeteve në qarkullim rritet me kthimin e përkohshëm në atdhe të emigrantëve shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës.
Kjo njësi, është pajisur me tetë radarë modernë, të cilët brenda një minute bëjnë të mundur identifikimin e targave të pesë-gjashtë automjeteve, shkelëse të rregullave të trafikut, ndërsa në mënyrë automatike pritet dhe masa ndëshkimore për drejtuesin e mjetit./a.ke/