English

Prefekti i Tiranës:Sezoni turistik dhe siguria e pushuesve çështje dite

Kavajë, 6 korrik, NOA – Angazhimi për t’i garantuar pushuesve ditë çlodhëse në destinacionet e përzgjedhura turistike ishte në qendër të takimit të shtabit të qarkut të Tiranës, mbajtur në qytetin e Kavajës.

Si drejtues i shtabit të punës, prefekti i Tiranë Keltis Kruja në këtë mbledhje për marrjen e masave dhe garantimin e rendit e sigurisë publike, gjatë këtij sezonit turistik, evidentoi turizmin si çështjen e ditës në prioritetet e qeverisë.

Prefekti i Tiranës, kërkoi nga drejtuesit e institucioneve vendore dhe njësive vendore më të vogla ta konsiderojnë çështjen e turizmit si çështjen kryesore dhe të angazhohen për t’u garantuar pushuesve një qëndrim sa më të këndshëm e komod pranë destinacioneve turistike në qarkun e Tiranës.

Prefekti Kruja, theksoi se duhen marrë masa për disiplinimin e lëvizjes së motorrëve të ujit, duhet kontrolluar uji i pijshëm, ushqimet dhe pijet që tregtohen në zonat turistike, si dhe nuk duhen lënë pas dore marrjen e masave për eliminimin e zhurmave nga lokalet e natës.

Në këtë mbledhje u kërkua edhe marrja e masave për pastrimin e plazheve nga mbeturinat dhe largimi i tyre; sigurimi i shërbimit shëndetësor 24 orë; masat përdrejt rritjes së sigurisë në rrugë nga policia rrugore me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe krijimin e kushteve për një lëvizje të qetë në akset Tiranë-Durrës dhe Durrës-Kavajë.

Prefekti i Tiranës, kërkoi në mënyrë imediate nga drejtuesit vendorë edhe krijimin dhe funksionimin e grupeve të shpëtimit dhe dhënies së ndihmës së shpejtë përgjatë vijës së plazhit, kur rrezikohet jeta e pushuesve nga mbytjet në ujë, rreziqet nga zjarri dhe aksidente të tjera.

Sipas tij duhet të vendosen tabela në rrugët hyrëse të plazheve me numrat e telefonit të policise së Shtetit, zjarrfikësve si dhe tabelat për zonat e rrezikshme për jetën.

mit/NOA
KOMENTE