English

Presidenti I Ke, Rompuy: Sundimi I Ligjit Njëri Ndër Prioritetet Tona Më Të Rëndësishme Në Kosovë

PRISHTINË, 6 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Sundimi i ligjit është njëri nga prioritetet tona më të rëndësishme në Kosovë, tha sot në Prishtinë, Presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy. Në një njoftim të EULEX bëhet e ditur se përveç takimit me autoritetet më të larta të Kosovës, Presidentin Fatmir Sejdiun, Kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqin dhe Kryeministrin Hashim Thaçi, presidenti Rompuy u takua me Përfaqësuesin Special të BE-së, Pieter Feith dhe vizitoi selinë kryesore të EULEX-it, ku u prit nga zëvendës Shefi i Misionit, Roy Reeve. Në komentet e tij pas vizitës në EULEX, Presidenti Rompuy filimisht shprehu falënderimin dhe përkrahjen për punën e EULEX-it dhe atë të institucioneve të tjera të BE-së të pranishme në Kosovë. "Misioni EULEX është misioni më i madh civil i BE-së, i ndërmarrë ndonjëherë. Puna e tij, së bashku me veprimtaritë e Përfaqësuesit Special të BE-së, si dhe puna e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në kuadër të agjendës për reforma, është e rëndësishme për zhvillimin e Kosovës dhe të aspiratave evropiane të saj", tha ai. Presidenti Rampuy vuri në dukje se "sundimi i ligjit është një nga vlerat përcaktuese të Bashkimit Evropian, dhe njëri nga prioritetet tona më të rëndësishme në Kosovë". Ai shtoi se "misioni i EULEX-it ka arritur rezultate të mira. Aktivitetet e tij pasqyrojnë përkushtimin e fuqishëm të BE-së për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin". "27 vendet anëtarë të BE-së i kanë dhënë përkrahjen e tyre të plotë punës së EULEX-it", theksoi Rompuy. /s.s./
KOMENTE