English

PS: Pensionistët duhet të hanë disa vakte më pak, që të paguajnë drita dhe ujë

Tiranë, 6 korrik, NOA – Akuzat e opozitës ndaj vendimit të qeverisë për rritjen e pagave dhe pensioneve vijojnë, rishtas me deklaratat se rritja e pensioneve nuk mbulon dot as faturat e rritura të energjisë, ujit dhe koston e ushqimeve, çmimet e të cilave janë rritur ndjeshëm.

Nënkryetarja socialiste e Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli, ritheksoi se “rritja e pensioneve është një tjetër gënjeshtër mediatike e kryeministrit, që synon t’u hedhë hi syve shqiptarëve në lidhje me gjendjen e rëndë ekonomike në vend. Kjo e ashtuquajtur rritje pensionesh, për të cilën qeveria po fut duart në kursimet e shqiptarëve jo vetëm që është e vonuar në kohë, por për më tepër nuk arrin të mbulojë as rritjen e çmimeve dhe as inflacionin specifik të pensioneve”.

Kdheli nënvizoi se “rritja e pensioneve nuk mbulon dot koston e faturave të energjisë dhe të ujit. Rritja me 400-600 lekë në muaj nuk ju del as për ilaçet e as për çmimet e rritura të ushqimeve”.

Sipas deputetes socialiste kryeministri duhet të pyesë për këtë rritje vetë pensionistët, të cilët dinë ta llogarisin pensionin e vogël të tyre, më mirë se kryeministri.

Deputetja e Partisë Socialiste, Kodheli, tha me gjuhën e shifrave se “energjia elektrike është rritur me 13 % ndërsa uji me 26%, kjo duke përdorur shifrat zyrtare, pasi realiteti shpesh është shumë më i kushtueshëm për familjet shqiptare”.

Sipas saj, e përkthyer në lekë, që prej janarit të këtij viti, vetëm këto dy fatura janë rritur mesatarisht me 3 mijë lekë të reja në muaj.

Ndaj kjo rritje e pensioneve dëshmon edhe mosefektivitetin e vet në llogaritë e pensionistëve, pasi sipas Kodhelit “rritja prej 400-600 lekë në muaj, jo vetëm që nuk mbulon as rritjen e faturave të energjisë e ujit, por i ngarkon të gjithë pensionistët me 2,400 lekë më tepër shpenzime mujore. Ky është realiteti i rritjes së pensioneve dhe i “mrekullive” ekonomike të kësaj qeverie”.

Madje duke iu referuar shifrave deputetja Mimi Kodheli, nënvizoi se familjet në nevojë, e sidomos pensionistët duhet të reduktojnë konsumin e ushqimeve dhe ilaçeve për të paguar faturat e rritura nga kjo qeveri, gjë që nënkupton se pensionistët, që pjesa më e madhe e tyre sot jetojnë në varfëri, duhet të hanë ndoshta një apo disa vakte më pak për të mos u prerë dritat e uji.

“Qeveria”, theksoi Mimi Kodheli, “mban përgjegjësi për rritjen e papërballueshme të kostos të jetesës në Shqipëri, e cila sipas saj, “nuk mund të fshihet pas një rritjeje pensionesh që është më e vogla në 10 vitet e fundit”.

Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli shtoi më tej se mazhoranca në pushte ka ulur ndjeshëm standardin e jetesës së shqiptarëve, si pasojë e paaftësisë së saj për të menaxhuar financat publike dhe çmimet e faturave mujore të familjeve shqiptare.

mit/NOA

KOMENTE