Reforma Në Sistemin E Inspektimit, Më E Rëndësishmja Në Fushën E Tregut Dhe Të Ekonomisë
Kryeministri Sali Berisha deklaron gjatë mbledhjes së Task- Forcës për reformën rregullatore-
TIRANË, 6 Korrik/ ATSH/. - Kryeministri Sali Berisha e cilësoi sot "reformën në sistemin e inspektimit si një nga reformat më të rëndësishme në fushën e tregut dhe të ekonomisë".
Zyra e shtypit e Kryeministrisë njoftoi te martën se gjatë mbledhjes së Task- Forcës për reformën rregullatore, Berisha vlerësoi punën e realizuar nga Ministria e Ekonomisë, ministritë e linjës dhe agjencitë për kompletimin dhe finalizimin e njërës prej reformave më kryesore në fushën e tregut dhe të ekonomisë, reformës së inspektoriateve.
"Dëshiroj të përshëndes sot punën e shkëlqyer të Ministrisë së Ekonomisë dhe gjithë ministrive të linjës e agjencive në finalizimin e njërës prej reformave më kryesore në fushën e tregut dhe ekonomisë, reformës së inspektoriateve dhe inspektimit. Kjo është fryt i një pune shumë të vëmendshme, të përkushtuar dhe me ekspertizën më të mirë, nga më të mirat në botë, i një grupi të BB, i cili, ka drejtuar, ka mbështetur me ekspertizë reformën e inspektoriateve në të gjithë vendet ish-komuniste, por natyrisht edhe shprehje e një domosdoshmërie të madhe për reformimin e këtij sistemi në Shqipëri", tha Kryeministri Berisha.
Duke e cilësuar inspektimin në tërësi, si një sistem jetik në zhvillimin e biznesit, për mbrojtjen e interesave të tij dhe për mbrojtjen e interesave të konsumatorit, Kryeministri vlerësoi se "domosdoshmëria për reformën e këtij sistemi është shprehur nga të gjitha agjencitë e vendit dhe të gjitha ministritë, të cilat duke i ndjerë problemet e funksionimit të tyre u angazhuan me seriozitetin më të madh për këtë reformë".
Sipas tij, "kjo reformë sjell ndryshime shumë të mëdha dhe të gjithanshme, para së gjithash në parimin e funksionimit të këtij sistemi".
Ai theksoi se," zvogëlimi i numrit të inspektorateve nga 36 në 11 të tilla, pa zvogëluar funksionin e tyre, ka qenë një ndër konkluzionet më të drejta. Vendosja e këtyre inspektoriateve në një ligj horizontal siguron aplikimin e standardeve më të larta evropiane dhe transparente".
Kreu i qeverisë vuri në dukje se "unifikimi i kritereve, standardeve, veprimtarisë së inspektoriateve përbën një risi tjetër madhore të sistemit të inspektimit që vendoset në Shqipëri".
"Vendosja e këtyre inspektimeve mbi bazën e një ligji horizontal, pra unifikimi i kritereve, standardeve, veprimtarisë së tyre, përbën një risi tjetër madhore të sistemit të inspektimit që vendoset në Shqipëri", tha ai, duke shtuar se "risi e këtij sistemi është dhe krijimi i inspektoriatit të përgjithshëm me kompetenca të kufizuara, që do të thotë se ky inpsektoriat i përgjithshëm nuk do të ketë tagrin e marrjes së detyrave të inspektorit sipas inspektoriateve, por do të ketë fuqinë e plotë të kontrollit të tyre, detyrën për një veprimtari tërësisht të dixhitalizuar, në mënyrë që kudo që këta shkojnë të ketë gjurmë".
Duke u ndalur në aspektin ligjor Kryeministri Berisha theksoi se "duhet të vazhdojë puna intensive për plotësimin në një kohë mundësisht sa më të shkurtër, por sa më mirë të të gjitha akteve nënligjore të domosdoshme për funksionimin e sistemit të ri të inspektimeve".
"Grupi i punës ka sjellë këtu variantin përfundimtar në disa nene, me dy, tre opsione. Duhet të vazhdojë puna intensive për plotësimin në një kohë mundësisht sa më të shkurtër, por sa më mirë, të të gjitha akteve nënligjore të domosdoshme për funksionimin e sistemit të ri të inspektimeve. Duhet të fillojë puna paralelisht për vendosjen e tyre mbi baza dixhitale", tha ai.
Duke e cilësuar këtë reformë, si një prej reformave më kryesore të ndërmarra, Kryeministri shprehu vendosmërinë për zbatimin e saj me rigorozitetin më të madh ligjor. /s.d/s.s./