English

Replikat për Kosovën në OKB, Jeremiç dhe Tadiç të inatosur bojkotojnë mbledhjen

Nju Jork, 6 Korrik, NOA - Presidenti serb Boris Tadiç, bashkë me ministrin e Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, janë larguar nga mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në shenjë rebelimi ndërsa po fliste kryediplomati kosovar, Skënder Hyseni.

Pasi shkëmbyen replika me njëri-tjetrin, përfaqësuesit e delegacionit serb, të cilët ishin në fakt edhe kërkuesit e këtij takimi të lartë të OKB-së, kanë vendosur ta bojkotojnë atë.

“Kosova nuk është shtet, nuk ka sovranitet dhe ky nuk është vetëm qëndrimi i Serbisë por edhe i Këshillit të Sigurimit dhe ministri i Jashtëm kosovar duhet ta pranojë njëherë e përgjithmonë këtë realitet”, u shpreh presidenti i Serbisë, Boris Tadiç në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit.

Por deklarata të tilla, duket se e kanë nxitur ministrin Hyseni të jetë edhe më i ashpër me qëndrimin e tij në OKB, duke i bërë të qartë delegacionit serb se “Kosova nuk mund të shpërblejë ata që shkaktojnë dhunën”.

“Ne do të ishim të fundit që do të mbronin dhunën pasi i jemi nënshtruar dhunës për 1 shekull dhe e dimë saktësisht se kush e ka shkaktuar këtë dhunë", tha ai duke nënkuptuar palën serbe.

Fill paskëtaj, përfaqësuesit e delegacionit serb janë ngritur dhe e kanë lënë në mes fjalën e Hysenit, ndërsa ai po vazhdonte të thoshte se “Kosova do të punojë për të plotësuar të gjitha kërkesat dhe ankesat e popullsisë së saj serbe etj”.

n.e/NOA

KOMENTE