Rumani - Arrin Në 12 Bilanci I Aksidentit Të Një Avioni Ushtarak Në Tuzla
BUKURESHT, 6 korrik /ATSH-AFP/ - Arrin në dymbëdhjetë numri i ushtarakëve që humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën nga rrëzimi i një avioni të forcave të armatosura rumune dje në Tuzla, rajon lindor i Rumanisë, sipas një bilanci të ri të publikuar sot nga Ministria e Mbrojtjes.
"Njëri prej tre ushtarakëve të plagosur rëndë humbi jetën gjatë natës. Bilanci aktualisht arrin në 12 të vdekur", konfirmoi për AFP një zëdhënës i ministrisë.
Ndër viktimat rezultonte edhe një komandant i njërës prej shkollave kryesore të aviacionit në vend, Nicolae Jianu.
Avioni, i tipit ''AN-2'', në përdorim të njërës nga njësitet e forcave ajrore rumune, u rrëzua pak pas ngritjes dhe mori zjarr ende në fluturim, shtoi zëdhënësi.
Avioni transportonte një skuadrilje parashutistësh dhe katër anëtarë të ekuipazhit për një fluturim instruksioni.
Shkaqet e aksidentit mbeten ende të panjohura, ndërkohë që po zhvillohet një hetim./
/i.p/