English

Shkodër: Arrestohen Dy Persona, Akuzohen Per Vjedhje Me Dhunë Dhe Kultivim Të Bimëve Narkotike

-Policia: Vepronin si një grup kriminal. Tre bashkëpunëtorë të tyre në kërkim - SHKODËR, 6 Korrik/ATSH-G. Marku/- Dy persona të akuzuar për disa vjedhje me dhunë dhe kultivim të bimëve narkotike u arrestuan të martën, ndërsa tre bashkëpunëtorë të tyre janë shpallur në kërkim, gjatë një aksioni të policisë i koduar "Optika në Bardhaj". Drejtori i policisë së qarkut të Shkodrës, Arjan Bozhaj, tha gjatë një prononcimi për median, se "operacioni i organizuar nga policia e Shkodrës në bashkëpunim me prokurorinë e këtij rrethi, drejtorinë Kundër Krimeve të Rënda dhe policinë e qarkut të Kukësit, bëri të mundur goditjen e një grupi kriminal, i cili në kohë dhe vende të ndryshme kanë kryer një sërë veprash penale në rrethin e Shkodrës, Malësisë së Madhe dhe Tropojës". Bozhaj tha se në pranga kanë rënë Aranit dhe Fatmir Susaj, përkatësisht 28 dhe 21 vjeç, lindur në Lekbibaj të Tropojës dhe banues në fshatin Bardhaj të Shkodrës, ndërsa janë shpallur në kërkim tre persona të tjerë, identiteti i cilëve nuk bëhet i ditur për arsye të hetimit. Drejtori i Policisë i Qarkut të Shkodrës bëri të ditur se ky grup kriminal akuzohet për një sërë veprash penale si shkatërrimi me lëndë plasëse i një supermarketi në qytetin e Lezhes dhe një makine të nje shtetasi në fshatin Grude e Re, vjedhja e një shume prej 800 dollarësh në banesen e një shtetaseje në fshatin Grudë, vjedhja me dhunë, nën përdorimin e armëve, e shtetasit P. S , duke i marrë një armë gjahu dhe disa sende të tjera personale me vlere 25 000 lekë të reja. Gjithashtu, tha drejtori Bozhaj, ky grup akuzohet për vjedhjen nën kërcënimin e armëve të një firme private në rrethin e Malësisë së Madhe. Ndërsa, në fshatin Vrakë të po këtij rrethi ata kanë tentuar vjedhjen me dhunë të një lokali dhe automjetit të një shtetasi. Në këtë ngjarje është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip kallashnikov, e lënë nga autorët. Gjithashtu, tha drejtori Bozhaj, nga hetimet e kryera në bashkëpunim me policinë e qarkut të Kukësit, rezulton se ky grup kultivonte bimë narkotike. Policia bëri të ditur se nga kontrollet e ushtruara në banesat e dy të arrestuarëve u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një çifte, një automatik model 56, dy radio, si dhe rroba për maskim. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale "shkatërrim të pronës me lëndë eksplozive", "vjedhje me dhunë, nën përdorimin e armëve, të kryer në bashkëpunim", "vjedhje e kryer në bashkëpunim", "mbajtje pa leje e armëve të zjarrit" dhe "kultivim i bimëve narkotike". /s.s./
KOMENTE