English

Sindromi Metabolik-Mjekët: Bëni Jetesë Të Shëndetshme

TIRANË, 6 Korrik/ATSH-Eriola Çuko/ - Nëse një person ka më shumë se tre faktorë rreziku shëndetësor, thuhet se ai ka sindromin metabolik. Në praktikën e thjeshtë klinike ky sindrom diagnostikohet thjesht duke matur perimetrin e belit sipas vlerave të përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Për femrat, kjo vlerë është mbi 85 cm dhe për meshkujt mbi 102 cm. "Dhe nëse gjenden vlera të larta, atëherë duhet të kontrollohet trigligliceritet, hiperglicemia, hipertensioni arterial, etj", thonë mjekët. Sindromi metabolik është bërë një problem shëndetësor mbarëbotëror, për shkak të përmasave pandemike që ai ka marrë. Sipas mjekëve, ky sindrom është mjaft problematik, sepse shkakton rrezik për sëmundjet kardiovaskulare dhe për shfaqjen e diabetit tip 2. Në vendin tonë, ende mungojnë shifrat e sakta mbi këtë sindrom, mendohet se ka tendencë për rritje të prevalencës së tij, duke qenë se ka një prirje të tillë për obezitet dhe mbipeshë. Kjo, për faktin se komponenti kryesor i këtij sindromi është obeziteti, shkak për të cilin është ndryshimi i mënyrës së jetesës dhe e të ushqyerit, që i afrohet stilit perëndimor. Prevalenca varet gjithashtu dhe nga mosha. Me moshimin e popullatës, prevalenca rritet më shumë, por mjekët tërheqin vëmendjen se ky shfaqet dhe në moshat fëminore. Shqipëria konsiderohet ende një popullsi në moshë relativisht të re, por tendenca për moshimin e popullsisë pritet të sjellë dhe tendenca në shëndetin e përgjithshëm. Marrja e masave për shmangien e kësaj patologjie duhet të nisë që në fëmijëri, në mënyrë që të kontrollohet obeziteti dhe mbipesha, e cila është një problem botëror mjaft shqetësues. Sipas mjekëve, për shmnagien e sindromit metabolik, në vendin tonë duhet tërhequr vëmendja në përmirësimin e stilit të jetës që do të thotë që njerëzit të edukohen që të ndryshojnë mënyrën e të ngrënit dhe të jetuarit. Gjithashtu, mjekët tërheqin vëmendjen për rritje të aktivitetit fizik, kufizimin e yndyrnave me origjinë shtazore, sheqernave, sepse ndikon në prevalencën e sindromit metabolik. Nga ana tjetrë, duke qenë se sindromi metabolik paraqet kërcënim për shëndetin, mjekët kanë marrë masa që ta njohim atë, si dhe për të parandaluar faktorët e rrezikut që ai përmban. Vetë sindromi është një grumbull faktorësh rreziku, të cilët janë hipertensioni arterial, trigliceritet e larta, hiperglicemia, radiopoziteti qendror, ose abdominal, në të cilin rritet perimetri i belit. Prevalenca e sindromit metabolik në botë llogaritet deri në 35 %. Në vendet e Europës ky sindrom llogaritet në 25 %, në Amerikën Latine në 24-25 % dhe në Azi rreth 20 %. /a.ke/
KOMENTE