Soft News/Mushkonja- Jo Vetëm Bezdi, Por Edhe Rrezik Për Sëmundje
REZIK PËR SËMUNDJE
TIRANË, 6 Korrik/ATSH-Eriola Çuko/ - Sëmundjet dhe shqetësimet që shkaktohen nga insektet, rreziku prej të cilave është më i madh gjatë stinës së verës, përbëjnë një problem të rëndësishëm për shëndetin publik. Insektet jo vetëm bezdisin, por transmetojnë sëmundje të ndryshme tek njerëzit.
Por, gjatë sezonit veror, mushkonjat janë insektet që shqetësojnë më shumë njerëzit. Ndaj, mjekët dermatologë këshillojnë njerëzit të mbrohen sa më shumë nga ato, pasi janë shkaktare të infeksioneve të lëkurës. Nga ana tjetër, sipas mjekëve, kujdes duhet të tregohet edhe ndaj të gjithë insekteve të tjera, pasi jo vetëm mushkonja është trasmetuese infeksionesh.
Mjekët këshillojnë që për të evituar futjen e mushkonjave në mjediset e brendshme, njerëzit duhet të vendosin rrjeta në dritare dhe dyer nëpër banesa, hotele, mjedise publike, shkolla, kopështe, çerdhe, spitale, institucione publike etj. Reduktimi i aktivitetit në mjediset e jashtme, sidomos për fëmijët, në orët e pikut të aktivitetit të mushkonjave, mëngjes dhe mbrëmje, mund të ndihmojë gjithashtu në shmangien e pickimeve prej tyre.
Por, specialistët vënë theksin tek eliminimi i ujrave të ndenjura në banesa, bodrume dhe përreth tyre, por dhe i pjatave e vazove të luleve, ndërsa është i nevojshëm pastrimi i shpeshtë i pusetave dhe i zonave të shkarkimit të ujrave të tyre.
Shatërvanët dhe akuariumet dekorative në mjediset publike dhe shtëpiake duhet të mbahen të pastra, pohojnë specialistët. Sipas tyre, kujdes duhet të tregohet në eliminimin e pellgjeve e gropave me ujë, që krijohen gjatë punimeve të ndërtimit të godinave në zonat urbane, ose trajtimi i tyre me larvicid, nga ana e firmave të ndërtimit.
Por, veçanërisht ata që parapëlqejnë qëndrimin e gjatë në natyrë, sikurse shëtitjet në pyll, mal, plazh, etj, duhetë të jenë të kujdesshëm nga pickimet e mushkonjave, akrepat, rriqnat, etj. Ndaj, është mirë që në vende ku ka mushkonja njerëzit të përdorin kremra, apo substanca që i largojnë ato, pohojnë mjekët.
Në të gjithë globin numërtohen rreth 2 mijë lloje mushkonjash (insekte fluturuese me dy krahë), që gjenden që nga zonat e ulëta deri në majat e larta të maleve. Disa prej mushkonjave janë në gjendje të injektojnë mikroorganizma infektues dhe të transmetojnë sëmundje të ndryshme si, malarien, Chikungunjen, ethet e Verdha, ethet Dengue, filariozën, ethet e Nilit Perëndimor, etj.
Mushkonja e zakonshme e shtëpisë është Culex pipiens. Në vendin tonë ndodhen 12 lloje të gjinisë Culex. Llojet që transmetojnë malarien i përkasin gjinisë Anopheles, e cila në Shqipëri përfaqësohet nga 11 lloje dhe gjinia tjetër Aedes përfaqësohet me 12 lloje, ku bën pjesë edhe mushkonja aziatike tigër, Aedes (Oclerotatus) albopictus.
Mushkonja tigër ka hyrë në vendin tonë që prej vitit 1979 me anë të anijeve, të cilat sillnin mallra nga Kina. Sot mushkonja tigër është përhapur veçanërisht përgjatë gjithë vijës bregdetare të vendit. /a.ke/