Sport-Botëror/ Fanela Numër 10, E Dështuar Në Botërorin 2010
TIRANË, 6 Korrik /ATSH - Gjergji Mima/ - Fanela me numër 10 dikur mbahej nga Pele, më pas Diego Maradona dhe Zinedine Zidane. Por, ajo që brazilianët e quajnë 'dez' dhe argjentinasit 'diez', dikur kishte statusin e një ikone, gjenerata aktuale ka dështuar të përcjellë hapat e paraardhësve të tyre
Gjithmonë është konsideruar si numër magjik në futboll, por fanella me numrin 10 ka dështuar të përmbushë parashikimet e saj në Kampionatin Botëror në Afrikën e Jugut. Mbajtja e fanellës me numrin 10 konsiderohet si nder dhe zakonisht i takon futbollistit më të mirë të ekipit.
Numri 10 i Brazilit, Rikardo Kaka, para fillimit të Botërorit 2010 kishte shpresuar të ngrinte emrin e tij në sallonin e të famshmëve, pas rikthimit nga dëmtimi në shpinë dhe sezonit të dobët tek Real Madrid.
Por, paraqitja e tij ishte nën nivelin e pritur, pasi Brazili nuk ishte aspak afër shkallës së gjeneratës së Peles, duke u eliminuar nga gara pas humbjes në çerekfinale kundër Holandës. Kaka nuk shënoi asnjë gol. Tri asiste dhe asnjë gol nuk ishte ajo që tifozët brazilianë kishin pritur prej tij.
Por, Kaka nuk është i vetëm. Atë e shoqëron futbollisti më i mirë në botë nga viti 2009, Lionel Messi. Librat e rekordeve do të tregojnë se botërori i tij i dytë përfundoi në mënyrë të ngjashme, si ai i pari.
Më 2006, ai ishte lënë në pankinë, ndërsa Gjermania mposhti Argjentinën në penallti. Kësaj radhe, ai dështoi të shfaqë shkëlqimin e pritur që mund të verbonte gjermanët, të cilët megjithatë e shkatërruan ekipin e tij me rezultat të thellë 4-0.
Sa i përket Anglisë, Wayne Rooney kaloi një garë të dobët, ku ai dha mund, por pa asnjë fryt. Ylli i Manchester Unitedit - ankthi i mbrojtjeve të ekipeve kundërshtare në Premierligë, nuk shënoi asnjë gol, ndërsa Anglia me shumë vështirësi u kualifikua nga faza e grupeve para eliminimit, pas humbjes rekord 4-1 në përballjen me Gjermania.
Një analizë e detajuar e ekipeve të tjera me ambicje për titull që kanë zhgënjyer në Botërorin 2010, tregon se Franca dhe Italia po ashtu kanë pësuar nga paraqitja e dobët e 10-ave të tyre, Sidney Govou dhe Antonio di Natale, të cilët nuk janë në shkallë të njëjtë me Zidane ose finalistin e garës së vitit 1994, Roberto Baggio.
Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Landon Donovan bëri atë që mundi që të ruajë historinë e tij me fanellën me numrin 10, ndërsa Diego Forlan vazhdon të tregojë kualitetet e tij për Uruguajn.
Megjithatë, asnjëri prej këtyre nuk mund të konsiderohet në rang me Pelenë, Maradonën, Hurstin ose një Zidane. Sa u përket pretendentëve të tjerë më numrin 10, Cesc Fabregas do të mund të paraqitej si titullar në shumicën e ekipeve, por Spanja e mban në pankinë një futbollist me talent të jashtëzakonshëm.
Kapiteni i Arsenalit, i cili luajti gjysmë ore në ndeshjen çerekfinale kundër Paraguajt, të shtunën, rrallëherë ka rastin të tregojë aftësitë e tij nga minuta e parë. Por, ai së paku ende është pjesë e garës, sikurse holandezi Uesley Sneijder, yll i fitores së famshme ndaj Brazilit në çerekfinale, i cili tashmë ka shënuar katër gola në Afrikën e Jugut.
Holanda, finaliste e mposhtur nga edicionet 1974 dhe 1978, do të mbështetet te mesfushori i Interit për të mbajtur gjallë legjendën e numrit 10./s.s./