Sport-Botëror/ Holanda Dhe Gjermania, Ekipet Që Bindin Specialistët E Futbollit
- Gjermania dhe Holanda, me paraqitjet e deritanishme, cilësohen si pretendente për Kupën e Botës -
TIRANË, 6 Korrik /ATSH - Gjergji Mima/ - Nëse në ndeshjet e fazës së grupeve specialistët e futbollit shqiptar shpreheshin për një Kampionat Botëror ku do të mbizotëronte Brazili, Italia, Argjentina dhe Anglia, tashmë që jemi në fazën e gjysmëfinaleve skuadra gjermane po shihet si favoritja kryesore për të fituar trofeun.
Ky ndryshim mendimi ka ardhur jo vetëm nga eliminimi i skuadrave të quajtura pretendente para fillimit të Botërorit afrikano-jugor, por edhe nga performanca e shkëlqyer e skuadrës së drejtuar nga Joakim Lëv. Sidomos pas dy ndeshjeve me dy prej ekipeve më të mira të këtij kompeticioni, Anglisë dhe Argjentinës, ku gjermanët kanë shënuar plot tetë gola, nga katër secilës, duke i mposhtur në të gjitha drejtimet ekipet e drejtuara nga Fabio Kapelo e Diego Armando Maradona.
Ndërsa një tjetër ekip që shihet favorit dhe parashikohet se do të arrijë në finale është Holanda e Bert Van Marvijk, e cila edhe ajo nga ana e saj ka qenë në një nivel të lartë, me yje në përbërje si Arjen Roben, Uesli Shnajder, Rafael Van Der Vart, Robin Van Persi, Mark Van Bomel e Dirk Kajt, të cilët deri tani njohin vetëm fitore, madje kanë eliminuar jo pak, por pesë herë kampionët e botës, brazilianët e Karlos Dungës.
Pasi janë mbyllur ndeshjet çerekfinale dhe janë caktuar katër skuadrat më të mira, specialistët tanë të futbollit kanë dhënë mendimin e tyre, ku parashikimi që ata bëjnë është një finale Holandë-Gjermani,
Sipas ish-futbollistit të Dinamos dhe ekipit tonë Kombëtar, Andrea Marko, Gjermania është një skuadër që ka një armë të fortë; grupin. Si një nga opinionistët më të njohur në vendin tonë, Andrea Marko e vlerëson maksimalisht skuadrën e Joakim Lëv, teksa shprehet se "gjermanët e shkrinë talentin e tyre tek grupi. Kjo është arma kryesore e fitores së tyre. Një meritë për këtë sukses të deritanishëm të Gjermanisë ka natyrisht trajneri Joakim Lëv, i cili ka sjellë një frymë të re në skuadër. Ai është një teknik me ambicje të madhe dhe trajnerët e rinj, si rasti i Lëv, janë novatorë, janë trajnerë për të cilët duhet pasur konsideratë. Skuadra gjermane, përveç fitores së thellë në përballjen me Argjentinën, na dhuroi spektakël, që kemi nevojë të gjithë ta shijojmë. Në këtë kampionat, Gjermania ka bërë figurë tjetër nga ajo e kampionateve të mëparshme. Në këto momente kjo skuadër e ka moralin të lartë dhe e parashikoj se do të jetë në finale".
Ndërsa parashikon Gjermaninë në finale, sipas specialistit Marko, do të jetë Holanda që do të përballet me tre herë kampionët e Botës. "Duke qenë se Holanda ka një sfidë relativisht të lehtë me Uruguajan në gjysmëfinale, mendoj se do ta kalojë pa shumë probleme. Holandezët në këtë Botëror janë një skuadër e kompletuar, me lojtarë që mund të bëjnë diferencë në momente të caktuara të lojës. Ashtu siç bëri Shnajder ndaj Brazilit, por edhe Roben është një lojtar që mund të bëjë çudira me lojën e tij të shpejtë dhe me gjuajtjet e tij të sakta. Holanda ka një shans të madh, pasi do të ketë përballë një skuadër që mund ta ndjejë lodhjen e 120 minutave ndaj Ganës, kështu që holandezët do të shfrytëzojnë këtë mundësi për të arritur në një finale Botërori pas asaj të vitit 1978, ku u mundën nga Argjentina", u shpreh Andrea Marko.
Një nga futbollistët më të mirë të viteve 90-të, Afrim Tole, i cili ka luajtur me Tiranën, Partizanin dhe ekipin tonë Kombëtar, jep opinionin e tij për ndeshjet e Kampionatit Botëror "Afrikë e Jugut 2010". Sipas tij, Italia, Franca, Anglia, Brazili kanë qenë ekipe që dështuan dhe u larguan shumë shpejt nga Botërori pasi nuk kishin freski, ndërsa si simpatizant i futbollit holandez ai e krahason skuadrën e drejtuar nga Bert Van Marvijk, pak a shumë të ngjashme me atë të Johan Krujfit të vitit 1974.
"Ky Kampionat Botëror ka nxjerrë shumë shpejt jashtë loje ekipe pretendente si Brazili, Anglia, Italia, Franca apo ndonjë tjetër, ndërsa Holanda e Gjermania janë dy ekipet që deri tani kanë bindur. Eliminimi i Brazilit nga Holanda erdhi si pasojë e presionit të madh që kishte skuadra braziliane në vetvete, por edhe sepse kishte përballë një Holandë me kualitete në përbërje të saj. Me lojën që ka zhvilluar Holanda deri tani, duket se ka marrë pak nga ajo e Johan Krujfit e vitit 1974, ndërsa ndryshimi qëndron tek mentaliteti që kanë lojtarët e rëndësishëm. Trajneri Bert Van Marvijk ka formuar një ekip ku ka ndërthurur spektaklin me racionalitetin dhe kjo Holandë besoj se do të diskutojë çështjen e titullit në finale me Gjermaninë", u shpreh specialisti i futbollit, Afrim Tole, i cili komenton dhe fitoren e bujshme 4-0 të Gjermanisë me Argjentinën se "nuk pritej një fitore e thellë e Gjermanisë, pasi kishte përballë një skuadër me shumë yje si Mesi, Teves, Higuain, Aguerro, por që përballë mbrojtjes së disiplinuar gjermane nuk shfaqën asgjë. U pa një ekip gjerman spektakolar, me një harmoni të plotë të reparteve dhe të lojtarëve me njëri-tjetrin. Trajneri Lëv i kishte marrë të gjitha masat për të neutralizuar sulmuesit argjentinas, por edhe për të shfrytëzuar defektet e kundërshtarit në mbrojtje. Ishte një Gjermani spektakolare, të cilën e shoh si një pretendente për të fituar Kupën e Botës".
Trajneri aktual i skuadrës së Tiranës, Sulejman Starova, thotë se për sa i përket Holandës, tashmë ajo e ka rrugën e hapur për në finale", ndërsa më pas parashikon një sfidë të fortë mes Gjermanisë dhe Spanjës. "Gjermania ka absolutisht një skuadër fantastike, por edhe Spanja nuk mbetet pas. Në fillim të Kampionatit Botëror Gjermania nuk shihej si pretendente, por me fitoret e arritura me Anglinë dhe Argjentinën, tregoi se nuk është rastësisht në gjysmëfinale. Tani Gjermania do të ketë një sfidë të vështirë në gjysmëfinale me Spanjën, ku kualifikimi mbetet i hapur. Të dy ekipet diskutuan finalen e Kampionatit Evropian 2008, ku Spanja ishte më dominuese, por Gjermania këtë herë është më e kompletuar dhe më spektakolare, kështu që secila e meriton kalimin në finale"./s.s./