Topalli:Shqipëria Do Të Gjejë Tek Polonia Një Mbështetëse Të Fuqishme Të Perspektivës Europiane
- Kryetarja e Kuvendit uron Presidentin e sapozgjedhur polak, Komorovski -
TIRANË, 6 Korrik/ATSH/.- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i drejtoi sot një letër urimi Presidenti të sapozgjedhur të Polonisë, Bronislav Komorovski, ish-kryetar i Parlamentit polak.
"Zgjedhja juaj është pasqyrim i besimit të madh që populli polak i ka dhënë personit Tuaj si një lider i shquar politik", thuhet në letrën e kryeparlamentares, publikuar nga zyra e shtypit e Kuvendit.
Kryetarja e Kuvendit shpreh besimin se gjatë presidencës së z. Komorovski "marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Polonisë do të intensifikohen akoma më shumë, në interes të dy vendeve tona dhe besoj se Shqipëria do të gjejë tek Polonia një mbështetëse të fuqishme të perspektivës së saj europiane".
Bronislav Komorovski u zgjodh në krye të shtetit polak pas zgjedhjeve të parakohshme presidenciale.
Ai pason në këtë post ish-Presidentin Lech Kaczynski, i cili së bashku me bashkëshorten e tij dhe disa funksionarë të lartë të shtetit polak, humbën jetën më 10 prill 2010 në një aksident ajror pranë Smolenskut, në perëndim të Rusisë, si pasojë e rrëzimit të avionit me të cilin ata udhëtonin për në Katin, pranë Smolenskut, për të përkujtuar 70-vjetorin e vdekjes së 22 mijë oficerëve polakë, të ekzekutuar nga policia staliniste./a.s/s.s./