English

Vajza e piktorit Vangjush Mio denoncon: 4 të mitur vodhën muzeun e babait

Korçë, 6 Korrik, NOA – Në shtëpinë muze të piktorit të njohur Vangjush Mio, janë vjedhur disa sende, fakt për të cilin vajza e tij, R.Mio ka paraqitur kallëzimin penal pranë organeve të policisë.

Lajmi konfirmohet prej këtyre të fundit për agjencinë e Lajmeve NOA, duke saktësuar se ndaj këtij fakti janë kryer veprimet hetimore proceduriale në gjendje të lirë për veprën penale të “Vjedhjes” parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal ndaj katër personave të dyshuar.

Mësohet se ata janë që të gjithë të mitur dhe asnjëri nuk e kalon moshën prej 12 vjeç e janë banues në qytetin e Korçës.

Konkretisht, ata kanë inicialet E.N 11 vjeç, J.N 10 vjeç, R.T 12 vjeç dhe Gj.L 10 vjeç.

Ndërkaq, materialet për këtë ngjarje i kaluan prokurorisë së Korçës për hetime të mëtejshme.

Sipas të dhënave, në muajin prill të vitit 1994, 21 piktura që ruheshin në shtëpinë e "Piktorit të Popullit" u vodhën për mungesë të sigurisë dhe ende nuk janë gjendur.

Piktori i Popullit, Vangjush Mio, lindur më 3 mars të vitit 1891 dhe rritur në qytetin e Korçës, njihet nga të gjithë si njeriu që solli në Shqipëri artin italian të pikturës. Ai njihet si peizazhist dhe veprat e tij numërojnë pamjet më të bukura të qyteteve më të njohura të vendit, si Korça, Pogradeci, Ohri, Tirana, Elbasani, Durrësi Berati, Vlora, Gjirokastra etj.

Restaurimi i shtëpisë muze të Piktorit të Popullit, Vangjush Mio, është realizuar gjatë vitit të kaluar e ky proces u realizua jo vetëm për faktin se përbën një monument kulture, por edhe sepse piktori i madh Vangjush Mio bën pjesë te personalitet më të spikatura të Korçës, ndërsa i vetmi restaurim i kryer më parë mbetet ai i vitit 2000.

Në shtëpinë muze të piktorit ruhen 57 punime të tij të ekspozuara në studion e tij të punës dhe në dy dhoma të tjera, ndërkohë që rreth 62 punime të piktorit ruhen në Galerinë e Artit, në Korçë.

n.e/NOA
KOMENTE