English

Virozat e infeksionet, QSUT: 80 raste çdo ditë

Tiranë, 6 korrik, NOA, Blerina Ahmetaj - Temperaturat e larta të ditëve të para të korrikut kanë rritur ndjeshëm numrin e të prekurve nga virozat e stinës dhe infeksionet prej ushqimeve. Mjekja infeksioniste në spitalin infektiv të QSUT-së, Najada Çomo thotë se çdo ditë në urgjencën e këtij pavioni paraqiten rreth 80 persona, të cilët kërkojnë ndihmën mjekësore.

Sipas Çomos, të prekurit janë të të gjitha moshave dhe shtrirja gjeografike është nga qendra në periferi.

“Prej disa ditësh, në urgjencën e spitalit infektiv paraqiten çdo ditë rreth 70-80 raste, që kërkojnë ndihmën e specializuar të mjekut. Shumica e pacientëve janë të prekur nga virozat e stinës, një pjesë paraqesin infeksione në aparatin tretës, apo siç njihen sëmundjet gastroenterite”, thotë mjekja.

Një pjesë e të prekurve, që paraqiten në urgjencën e infektivit janë dhe të helmuarit nga ushqimet.

Ushqimet dhe uji, janë dy burimet për infeksione të rrezikshme, sidomos në këtë periudhë.

Mjekja Çomo thotë se në sezonin e verës duhet pasur kujdes për konsumimin e ushqimeve të freskëta.

Përvec kësaj, kujdes duhet treguar për ujin, i cili mund të shkaktojë helmim nëse është i kontaminuar.

Mjekët infeksionistë këshillojnë rritjen e higjenës tek produktet, që konsumohen pasi në shumë raste ato mund të rrezikojnë edhe jetën.

Një tjetër këshillë e mjekëve është evitimi në orët e pikut të diellit, kryesisht për personat që vuajnë nga sëmundje kronike si zemra, veshka apo diabeti.

Mjekët rekomandojnë kujdes dhe për fëmijët, të cilët sipas tyre nuk duhet të ekspozohen shumë në diell.

b.a/r.n/NOA

KOMENTE