Vlorë: Bashkepunim Shqiptaro-Italian Per Ullirin
VLORË, 6 korrik/ATSH-H.Koçi/.-Një projekt i përbashkët shqiptaro-italian mes Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Vlorë dhe Institutit të Kërkimeve Bujqësore dhe Agrokulturës në Firence(Itali), synon shtimin e sipërfaqeve të kultivuara me ullinj në Shqipëri.
Qendra e Transferimit të Teknologjive është pika lidhëse e projektit, si prodhuese të varieteteve më të përshtatshme të ullirit në funksion të natyrës, kushteve klimatike dhe zonave të caktuara ku do të kultivohen.
"Bashkëpunimi me Institutin e Kërkimeve Bujqësore dhe Agrokulturës në Firence konceptohet si një marrëdhënie dhe shkëmbim përvojash mes kërkuesve shkencorë dhe specialistëve në fushën e ullirit për krijimin e fidaneve dhe varitetet që do të zgjidhen për kultivim, në varësi të terrenit, vendit dhe kohës së kultivimit", thotë për ATSH-në drejtori i Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Vlorë, Prof.Dr.Dhimitër Panajoti.
Një nga drejtimet e bashkëpunimit është prodhimi i fidanave në përputhje me karakteristikat gjeografike dhe klimatike të vendit. Puna tashmë ka filluar dhe pritet që llojet e fidanëve sipas varieteteve përkatëse të kultivohen në parcelat e QTTB në Vlorë. Specialistë të dy institucioneve po punojnë, duke synuar shtrirjen e projektit në të gjithë vendin.
-Projekti, pjesë e strategjisë kombëtare të ullirit-
Projekti shqiptaro-italian, është pjesë e punës për mbarështimin e kulturës së ullirit në kuadrin e strategjisë kombëtare që synon që brenda 0 vjetësh, Shqipëria të mund të ketë një fond prej 20 milionë rrënjësh ullinj.
Në fund të vitit 2007 në Shqipëri numuroheshin 4.7 milionë rrënjë ullinj të mbjella në një sipërfaqe prej 50 mijë hektarësh e shtrirë në 20 rrethe të vendit. Synohet që në një të ardhme të afërt, gjeografia të rritet në 25 rrethe.
Vetëm në dy vitet e fundit, sipërfaqja e mbjellë me ullinj në Shqipëri është shtuar me pothuajse 900 hektarë pasi po zbatohen projekte të mbrojtjes së ullirit, të shtrirë në rrethet Durrës, Berat, Vlorë e Lezhë, krahas aplikimit të skemave financiare për shtimin e sipërfaqeve dhe të numrit të ullinjve.
Aktualisht në Shqipëri, ka një sipërfaqe disponibël tokash prej 18.500 hektarë, që parashikohen të vihen në funksion të mbjelljes dhe zhvillimit të kulturës së ullirit, ndërsa ka shumë toka të tjera të pashfrytëzuara, që mund të përdoren për këtë qëllim.
-Qarku i Vlorës, 30 përqind të prodhimit të ullirit në shkallë vendi-
Vetëm në Qarkun e Vlorës numërohen 1.3 milionë ullinj, që japin një prodhim vjetor prej 11.700 ton kokërr, ose dy herë më shumë, krahasuar me vitin 1990.
"Aktualisht janë rreth 12 000 hektarë tokë e lirë, ndërsa ekzistojnë një sërë faktorësh të tjerë, që favorizojnë shumëfishimin e numrit aktual të ullinjve në më shumë se 5 milionë brenda 10 vjetësh", thotë Panajoti. Sipas tij, në tre vitet e fundit, me subvecionimin e qeverisë, sipërfaqja e mbjellë me ullinj, u shtua me të paktën 300 hektarë.
Vlora ka aktualisht 30 përqind të numrit të bimëve dhe siguron po aq në prodhimin e përgjthshëm të ullirit në shkallë vendi./n.m/