90 Punime Në Teknikën E Gërvishtjes Në Lëkurë Dhe Në Dru Në Ekspozitën E Mjeshtërit Artizan, Pjetër Vukaj
TIRANË, 7 Korrik/ATSH- Suada Daci/- 90 punime në teknikën e gërvishtjes në lëkurë dhe gdhendjes me dru janë pjesë e ekspozitës "Bioart Unik", çelur në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar nga artizani shkodran Pjetër Vukaj.
Druri dhe lëkura e dhenve (kryesisht dhi) janë kthyer në duart e artistit shkodran në një instrument ku ai mund të shprehet me shumë origjinalitet.
"Kam 4-5 vjet që punoj pa shkëputje për këtë ekspozitë", shprehet në një prononcim për ATSH-në, artizani Pjetër Vukaj.
Ai thotë se "ekspozita përmban 90 punime, 35 punime janë lëkure dhe pjesa të tjetër është me dru, me material gjysëm të gdhendur, etj".
Vukaj në këtë ekspozitë prezantohet me një sërë punimesh, kompozime të figurave historike, siç është Nënë Tereza dhe portrete njerëzish e veçanërisht femrash.
"Në pikturat me lëkurë ka shumë portrete femrash", thotë ai, duke shtuar se "kjo ishte një zgjedhje e imja sepse njeriu është i përbërë prej lëkurës dhe flokëve".
Ai ndalet edhe tek veçanta e këtyre e punimeve, duke u shprehur se "e veçanta e tyre është sepse ato janë unikale jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë".
Duke veçuar disa nga vështirësitë e punës me anë të lekurës ai tregon se "punimi me lëkurë është shumë i vështirë, ndryshe nga guri dhe druri, sepse lëkura është shumë e hollë".
Një nga veprat e tjera të veçanta të ekspozitës "BioArt Unik", është dhe një lahutë rreth 2 metra e 40 cm, realizuar me dru arre.
Pas viteve '90, artizani shkodran Pjetër Vukaj ka realizuar shumë ekspozita si brenda, ashtu dhe jashtë shtetit, kryesisht në pikturë dhe me dru. Një nga projektet e tij të ardhshme është ekspozimi i punimeve të rralla me lëkurë edhe në Ulqin të Malit të Zi.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 9 korrik./s.s./
-
aba09:20 - 25 Korrik 2010je i pa arritshem