Agjencia NOA publikon emrat e ambasadorëve që do të jenë kryediplomatët e Shqipërisë në SHBA, OSBE, Bruksel, Danimarkë, etj. Mes emrave, këshilltarë të presidentit Topi, ish-kryeministrit Nano dhe të tjerë. Spikatin diplomatë karriere
Tiranë, 7 Korrik 2010 NOA/ Eglantina Nasi – Ndryshime të rëndësishme në diplomacinë shqiptare, emërohen ambasadorë të rinj, por tani në qendër të emërimeve janë diplomatë të karrierës.
Burime nga Ministria e Punëve të Jashtme, konfirmuan për agjencinë e lajmeve NOA se është vendosur emërimi i posteve më të rëndësishme të diplomacisë shqiptare, ai i ambasadorit tonë në SHBA dhe kryediplomati ynë në OSBE.
Konfirmohet se Gilbert Galanxhi është propozuar për Ambasador në SHBA, ndoshta posti më i rëndësishëm i diplomacisë shqiptare. Galanxhi është gjithashtu diplomat karriere dhe ka mbajtur poste si Ambasador në Argjentinë dhe pranë Misionit të OSBE-së në Vienë.
Ndërkohë në OSBE, Shqipëria do të përfaqësohet nga Spiro Koçi, i cili më parë ka qenë Ambasador në Beograd, dhe së fundmi ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i Organizatave Ndërkombëtare dhe i Sigurisë në MPJ.
Posti i kryediplomatit të Shqipërisë në OSBE, është një post i rëndësishëm për koordinimin e aksioneve të politikës së jashtme në gjirin e organizatave ndërkombëtare, veçanërisht pjesëmarrjes sonë në NATO.
Propozime të tjera:
Arben Cici shkon Ambasador në Danimarkë. Diplomat karriere, Cici më parë ka qenë Këshilltar i Presidentit të Republikës, Bamir Topi dhe ish-Shefi i Protokollit të Shtetit në MPJ.
Agim Isaku shkon Ambasador në Sllovaki. Publicist i njohur, ish Ambasador në Spanjë, ka qenë edhe Këshilltar dhe Shef i Kabinetit të Kryeministrit Fatos Nano.
Flamur Gashi është vendosur për postin e Ambasadorit në Bosnje-Hercegovinë, ambasade e re në këtë vend, të cilit Shqipëria po i kushton vëmendje në kontekstin e politikës së saj rajonale.
Bëhet e ditur se Gashi ka qenë Drejtor i Institutit të Diasporës Shqiptare në MPJ.
Ndërkohë, Dr. Vili Minarolli, pak ditë më parë, më datë 30 qershor i dorëzoi Presidentit të Republikës së Austrisë, Dr. Heinz Fischer, letrat kredenciale, të cilat e akreditojnë atë si Ambasador të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të RSH-së në Austri.
Ceremonia e dorëzimit të letrave kredenciale u zhvillua në Pallatin Presidencial (Hofburg) në Vienë. Minarolli është diplomat karriere, dhe deri vonë, ish Ambasadori shqiptar në Greqi. Por Minarolli ka qenë dhe ambasador në Beograd në vitet 1993-1995 dhe ish-Drejtor i Evropës në MPJ.
Vendin e Minarollit e ka marrë Dashnor Dervishi, diplomat karriere, disa herë Ambasador në vende të ndryshme, si Izrael, Itali, Turqi, Meksikë.
Behar Bejko, njohës i mirë i gjuhës arabe, shkon Ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ky emërim përkon me vizitën e Ministrit të Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah Bin Zayed Al Nahyan dhe përurimit të Aeroportit të Kukësit që u bë bashkë me Zv. Kryeministrin Meta.
Mira Hoxha, Drejtoreshë e Nismave Rajonale në MPJ propozohet Ambasadore në Hungari dhe Elvira Isufaj, diplomate, ish-Konsulle në Stamboll, aktualisht propozuar për në Çeki.
Bruksel: Dihet tashmë që edhe në Belgjikë, Shqipëria do ketë një Ambasador të ri, Ilir Tepelenën. Tepelena, është diplomat karriere prej vitesh në MPJ.
Ai ka mbajtur poste të rëndësishme në shërbimin e jashtëm, Ministër Këshilltar në Itali, diplomat në Paris, Tepelena do të mbulojë Belgjikën dhe Luksemburgun.
Së fundmi ai ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Cështjeve Rajonale në MPJ.
Hapja e Ambasadës së re në Bruksel, pritet t’i japë prioritet më të madh marrëdhënieve bilaterale me Belgjikën, vend që në këtë muaj ka marrë presidencën e BE-së dhe ku ka një komunitet të konsiderueshëm shqiptar.
Në këtë mënyrë, çështjet bilaterale ndahen nga Misioni ynë pranë BE-së në Bruksel dhe Shqipëria do të ketë dy Ambasada, atë të Belgjikës dhe atë të BE-së.
Emërimi i parë i Metës ka qenë Kastriot Robo si Ambasador në Spanjë. Robo gjatë këtyre viteve ka mbajtur postin e Drejtorit të Protokollit të Shtetit dhe më parë ka qenë Ambasador në Londër. Emërimi i tij në Spanjë, duke qenë një diplomat karriere i suksesshëm, ndodhi në momentin kur Spanja mori presidencën e BE-së, gjë që tregon për vëmendjen e Metës në momente kyçe për politikën e jashtme. Ndërkohë që në postin e Shefit të Protokollit ka ardhur Ridi Kurtezi, i cili ka qenë i Ngarkuar me Punë në Spanjë, përpara Robos.
Burimet nga Ministria e Jashtme i thanë agjencisë NOA se ndryshime të tjera priten edhe në nivele të tjera, kryesisht për ata që kanë mbaruar afatet kohore në detyrë, por pritet edhe një reduktim i numrit të diplomatëve në vende të caktuara, në funksion të akomodimit të resurseve dhe fondeve në Ambasada.
Në këtë mënyrë, një erë e re po fryn në shërbimin e jashtëm shqiptar, ku tashmë prioritet po i jepet aftësive të diplomatëve shqiptarë para se të emërohen Ambasadorë në vende kyçe.
Që në vjeshtën e kaluar kur Ilir Meta ka marrë drejtimin e Ministrisë së Jashtme, po ndodhin disa ndryshime të rëndësishme në diplomacinë shqiptare.
Zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Meta, e ka pohuar se ai synon që t’i jepet një frymë aktive politikës së jashtme shqiptare.
Nga ana tjetër, ekspertë në MPJ, duke pranuar se po ndodhin ndryshime të rëndësishme në diplomacinë shqiptare, pohojnë për NOA se është lehtësisht i dallueshëm një ritëm tjetër i futur sigurisht nga ardhja e kreut të ri të dikasterit që është njëkohëissht edhe numri dy i qeverisë shqiptare.
e.n/r.n/NOA