Udhëtimi nëpër autostradën Rrëshen-Kalimash ishte për mua një zhgënjim, një tjetër shenjë e dukshme dhe dramatike e delirit (dhe jo vetëm) të politikës sonë, që tregon se sa e shkëputur është klasa jonë politike nga hallet e vërteta të këtij vendi, por edhe nga vizioni i sotëm për zhvillimin e qëndrueshëm e në harmoni me natyrën në botë
Nga Fatos Lubonja Do të pyesë lexuesi pse ky titull; ç'punë ka Marsi në këtë itinerar? Më në fund m’u dha rasti të kaloj nëpër autostradën e famshme, që është aq të përfolur, dhe më erdhi natyrshëm ky asociacion , që pastaj, sa më shumë e mendoja, aq më i goditur më dukej. Më erdhi nëpërmend Marsi, sepse në shumë segmente të kësaj autostrade pata ndjesinë se nuk po udhëtoja në Tokën tonë, por nëpër truallin e planetit Mars, ku s'ka as gjelbërim, as pemë, as bar, por një peizazh pa jetë, vetëm me gurë minerarë apo vullkanikë në ngjyra të çuditshme. Kjo për shkak të shkatërrimit katastrofik ekologjik që ka shkaktuar ajo autostradë. Udhëtimi im zgjati deri në Fan dhe, e përsëris - ishte tronditës numri i maleve të zhveshura që më panë sytë, ku në vend të pishave dhe barit dhe bimësisë që ka ekzistuar aty, tani syri të shihte një shkreti/shëmtirë ku natyra dhe peizazhi janë vrarë në kuptimin më mizor të fjalës. E di që shumica do të qeshin me këtë vërejtje dhe do të më flasin për cilësinë e asfaltit e shpejtësinë me të cilën arrihet Kukësi. E di që një pjesë janë edhe të sinqertë kur të flasin me entuziazëm për këtë autostradë si arritje. E di, po ashtu, që një pjesë nuk e kanë fare atë ndjenjë dhimbjeje ndaj peizazhit të vrarë edhe kur nuk janë nga ata që sytë u shohin vetëm para dhe gëzimin e udhëtimit në makina luksoze. Por, duke e ditur se edhe këta marrin si pikë referimi shpesh të huajt perëndimorë, edhe pse nuk më pëlqen kjo formë dhënieje argumentesh, po ju them se isha duke udhëtuar edhe me një të huaj, perëndimore, shumë më të shëtitur se unë, madje, artiste. Dhe ajo më tha se në jetën e vet s'kishte parë një autostradë më të shëmtuar nga pikëpamja e shkatërrimit të natyrës dhe peizazhit. Dhe kjo, sipas saj, nuk lidhej thjesht me faktin se është çimentifikuar tërë ajo natyrë e më the të thashë, por sepse dukej sheshit se nuk ishte bërë asnjë studim për ta ruajtur këtë natyrë e peizazh, kur ishte bërë projekti sepse - më tha gjithmonë ajo - tek ne, edhe kur bëhen autostrada të tilla, nuk pritet dhe nuk zhvishet mali kështu siç e kanë bërë këta, por preferohen më shumë gjysmë-tunele, ku natyra sipër mbetet dhe pastaj, atje ku s'është e mundur, firmat janë të detyruara ta riveshin malin. Së dyti, thash "Mars" sepse, duke përshkuar atë autostradë, nuk mund të mos më binte në sy kotësia e saj nga pikëpamja e funksionalitetit. Ajo mbizotëronte në atë peizazh me male të shkretë, si një luks absurd kur ke parasysh vendin dhe nevojat e tij. Mjaft të kesh parasysh gjendjen e rrugëve në zonat e tjera të vendit, faktin se, ndërkohë që prej kryeqytetit e deri në Rrëshen, ku trafiku është tejet më i dendur, ka vetëm ca copa autostrade, ajo fillon atje ku syri të shihte një numër krejt të vogël makinash. Apo faktin se një rrugë e tillë nuk ka shkuar dot ende deri në Vlorë. Pra, nuk mund të thuash kurrsesi se ajo ka qenë një prioritet i Shqipërisë. Rruga që vazhdon nga Miloti për në Rrëshen, që është sa gjysma e autostradës, do të ishte plotësisht e mjaftueshme të paktën (sipas gjykimit tim intuitiv sigurisht) edhe për njëzet vjet. Së treti, thash "rrugë marsiane", sepse kush kalon nëpër atë autostradë nuk mund të mos i bjerë në sy një gjë që e kam trajtuar edhe në një shkrim tjetër. E kam fjalën për faktin se ajo e ka izoluar Veriun, në vend se t'i shërbejë atij. Edhe në fshatrat atje afër saj binte në sy ky izolim; edhe për ata nuk ishte parashikuar ndonjë dalje e afërt. Të paktën nga Rrësheni në Fan, që është një distancë jo e vogël, nuk kishte asnjë dalje. Dukej sikur ajo të mos jetë bërë për njerëzit, por për një gjë abstrakte (disa e quajnë "komb"). Duke përshkuar atë, nuk mund të mos mendoje se me të hollat që janë shpenzuar aty mund të ishin hapur rrugë të vogla apo të shtroheshin rrugë të vjetra në formën e degëzimeve në të gjithë Veriun e Shqipërisë, në Dukagjinin e parrugë, çka do të bënte që në trupin e Veriut të lëvizte sërish limfa e jetës, e cila, në gjendjen që kemi sot, është përqendruar e po asfiksohet përditë në gjethnajën e madhe pa trung, qytet-fshatin gjigant, Tiranë-Durrësin e supershëmtuar. Nuk mund gjithashtu të mos bëje kalkulimin se sa shkolla e kopshte do të mund të ishin ndërtuar me ato të holla; sa rroga mësuesish e mjekësh do të ishin ngritur ashtu, që puna e tyre të fitonte dinjitetin e nëpërkëmbur nga varfëria; sa monumente kulture mund të ishin restauruar, sa shumëçka tjetër më prioritare mund të ishte bërë për të përmirësuar jetën e njerëzve. Ja pse edhe në këtë aspekt, ajo ishte një autostradë marsiane. Kundërargumentet kryesore që dëgjoj kur them këto që thashë më sipër, janë disa. Së pari ato patriotike: "Rruga e Kombit" të thonë. Besoj se nuk ia vlen të trajtohet në këtë shkrim ky argument, sepse për çdo shqiptar normal tashmë është e qartë se që kur është krijuar Shqipëria e këtej (më duket se kjo ka filluar të vlejë edhe për Kosovën), fjalia që u shkon më për shtat politikanëve tanë ka qenë e mbetet - nacionalizmi është streha e fundit e horrave. Sipas gjykimit tim, edhe kjo rrugë, mu për ato çka thashë më sipër, por edhe për akuzat e shumta që qarkullojnë për përdorimin e saj, për një superkorrupsion, është ilustrim i qartë i dashurisë së rrejshme të politikanëve tanë për këtë vend dhe njerëzit e tij. Një argument i dytë që dëgjoj më shpesh është se kjo do të bëjë të mundur zhvillimin e ekonomisë, kryesisht për transportin e mallrave. Por, a nuk do të ishte më mirë që rruga të rritej duke u rritur prodhimi? Sepse, cilat janë këto mallra që prodhokemi ne dhe kosovarët, të cilat paskan nevojë për këtë rrugë kaq të gjerë? Malli kryesor që transportojmë ne është droga dhe ajo nuk ka nevojë për autostradë. Disa të tjerë të flasin për lumin e turistëve kosovarë që do të vërshojnë nga ajo autostradë për të na sjellë fitime. Por, a nuk do të kishte qenë më mirë që një pjesë e parave të autostradës të ishin shpenzuar, më së pari, për t’i hequr ujërat e zeza nga derdhja në det, së dyti, për të shembur e pastruar ndërtimet pa leje që kanë shpërfytyruar shumëçka në bregdet, e të tjera e të tjera, kurse pjesa tjetër për të zgjeruar e rregulluar mirë e bukur rrugën e vjetër? Personalisht do t'u thosha turistëve kosovarë dhe jo vetëm atyre: nëse doni të shihni Shqipërinë, zgjidhni rrugën e vjetër se do të shihni një Shqipëri shumë më të bukur edhe në kuptimin natyror, por edhe historik e kulturor. Unë në një fragment në kthim mora rrugën e vjetër, me idenë që t'i shpëtoja shëmtisë së peizazhit marsian të autostradës së re. Dhe u kënaqa shumë më tepër sesa në vajtje ndonëse, fat të keq, edhe atje nuk i shpëtova dot një shëmtie tjetër të dorës shqiptare: në shumë fragmente kishin vjedhur mbrojtëset prej alumini në krah të rrugës. Shkurt, për ta mbyllur, udhëtimi nëpër autostradën Rrëshen-Kalimash ishte për mua një zhgënjim, një tjetër shenjë e dukshme dhe dramatike e delirit (dhe jo vetëm) të politikës sonë, që tregon se sa e shkëputur është klasa jonë politike nga hallet e vërteta të këtij vendi, por edhe nga vizioni i sotëm për zhvillimin e qëndrueshëm e në harmoni me natyrën në botë, prandaj dhe futa Marsin në itinerarin Rrëshen- Kalimash.