Bosch: Dialog Të Hapur Me Të Gjithë Aktorët Për Policimin Në Komunitet
-Organizohet në Sarandë takimi për përfundimin e projektit të OSBE-së në mbështetje të Policisë së Shtetit-
TIRANE, 7 Korrik/ATSH- A.Gegvataj/- "Ekzistenca e strategjive dhe planeve të veprimit përbën një themel të fortë për përhapjen e policimit në komunitet", deklaroi Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, gjatë mbylljes së raundit të tryezave të rrumbullakëta mbi policimin në komunitet, të organizuar në Sarandë.
Zyra e shtypit e OSBE-së bëri të ditur se Kryetari i kësaj Prezence, Ambasadori Bosch, theksoi se "një dialog i hapur me të gjithë aktorët është thelbësor në këtë drejtim".
Sipas tij, tryezat e rrumbullakëta përbëjnë një fillim të mirë për forcimin e marrëdhënieve mes organeve të zbatimit të ligjit dhe qytetarëve.
Në takimet e organizuara për këtë qëllim, Prezenca paraqiti tre botime të OSBE-së në fushën e policimit.
Bosch tha se botimet do t'i shërbejnë Policisë së Shtetit si materiale reference në përpjekjet e saj për të zbatuar dhe përmirësuar strategjinë afatgjatë të policimit në komunitet.
Ndërsa Drejtoritë Rajonale të Policisë paraqitën strategjitë rajonale dhe planet e veprimit për policimin në komunitet për zonat që ata mbulojnë.
Veprimtaritë e organizuara nga OSBE, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, kishin për synim promovimin e koncepteve të policimit demokratik dhe të partneritetit mes publikut dhe organeve të zbatimit të ligjit.
Gjatë periudhës shkurt-korrik të këtij viti janë mbajtur 13 tryeza të rrumbullakëta në mbarë vendin me pjesëmarrjen e rreth 600 personave.
Projekti u zhvillua në kuadrin e veprimtarive të OSBE-së në mbështetje të Policisë së Shtetit shqiptar./s.s./