Johanesburg, 7 Korrik, NOA – Gjysmëfinalja e sotme e kampionatit botëror të futbollit “Afrika e Jugut 2010”, pritet të dhurojë emocione të mëdha në përballjen mes dy të mëdhenjve Gjermani dhe Spanjë.
Të gjithë janë duke pritur me ankth këtë ndeshje të madhe, kjo edhe për të mësuar se kush do të mbërrijë në finale prej tyre për t’u përballur me Holandën e madhe, e cila dje arriti të mundë në gjysmëfinalen e parë ekipin e Uruguajit me rezultatin 3-2.
Bëhet me dijeni se dy skuadrat finaliste të kampionatit Europian 2008, do të përballen sot në orën 20.30 në stadiumin e Durbanit në Afrikën e Jugut.
Ndërsa Gjermania ka bërë një lojë bindëse në këtë Botëror, Spanja ka arritur një kualifikim historik në radhët e saj, duke qenë një nga 4 më të mirat e Botërorit dhe ka deklaruar se do të ishte e kënaqur me kaq, sido që të vinin punët më tej.
Ndërkaq, kjo skuadër duket se ka edhe mbështetjen e oktapodit parashikues, i cili dje i është afruar kutisë së saj, duke parashikuar kështu një fitore të mundshme me Gjermaninë sot.
Nga ana e saj, Gjermania ka arritur 3 herë në çerekfinale, 4 në gjysmëfinale, 4 herë u shpall nënkampionë të botës dhe 3 herë ka fituar trofeun e Kupës së Botës.
Ajo është një nga skuadrat më të suksesshme në kompeticionet e mëdha, duke fituar edhe tre kampionate europianë si edhe duke qenë gjithnjë protagoniste në Kupën e Botës.
Sa i përket Spanjës, mund të thuhet se këtë herë ajo është paraqitur më mirë nga të gjitha herët e tjera.
n.e/NOA