English

Dun & Bradstreet: Shqipëria reagoi mjaft mirë ndaj krizës, por do preket nga ajo greke

Uashington, 7 Korrik, NOA – Kriza aktuale greke ka mundësi që të shtrijë ndikimet e saj edhe në ekonominë shqiptare, fakt ky që komunikohet në raportin e fundit të “Dun & Bradstreet”.

Sipas tij, edhe pse ekonomia shqiptare ishte e prekur nga kriza globale, performanca e saj relativisht elastike në vitin 2009, tregoi se ishte një ndër ekonomitë e rralla e cila iu shmang rënies, duke ia atribuuar këtë pjesërisht stimulimeve të shpejta fiskale dhe monetare të ndërmarra kundër krizës.

“Në vitin 2010, rimëkëmbja modeste ekonomike globale do të jetë e dobishme edhe për Shqipërinë, por kushtet e përgjithshme do të mbetet shumë sfiduese”, citon dokumenti i raportuar më lart.

Por këtij fakti optimist për ecurinë mjaft pozitive të ekonomisë shqiptare edhe nën efektet e një krize të rëndë globale, i shtohet ai i të qenit për fat të keq si një nga ekonomitë më të ekspozuara ndaj krizës aktuale financiare në Greqi.

“Një pjesë e rëndësishme e komunitetit të shqiptarëve punon në Greqi (rreth 650-800 mijë), dhe reduktimet në punësime dhe në paga me siguri që do të kenë një ndikim negativ në paratë e dërguara në Shqipëri nga ky vend”, citon raporti i lartpërmendur.

Duke shtuar se kjo gjë do të rrisë rënien tashmë të pafavorshme për konsumin privat, pritet rritje e papunësisë së brendshme dhe shtrëngim i kushteve të kreditimit.

“Kriza financiare greke do të ndikojë negativisht, po ashtu edhe në tregtinë mes Shqipërisë dhe Greqisë”, shton raporti.

Së fundi, raporti i “Dun & Bradstreet” i komunikuar nga “Bonitetna hiša I, d.o.o” në Slloveni, tregon se problemet në Greqi mund të kenë një ndikim negativ edhe në financimin e qeverisë.

Duke mos harruar të citojë as krizën politike në vend, në faqet e tij thuhet ndër të tjera edhe se “klima politike në Shqipëri mbetet shumë e dobët për shkak të mosmarrëveshjes së zgjatur rreth zgjedhjeve të përgjithshme të 2009-së, duke parandaluar kështu kalimin e legjislacioneve të rëndësishme dhe përparimin e parashikuar drejt integrimit në Bashkimin Evropian”.

n.e/NOA

KOMENTE