English

Fier: Shërbimi Hekurudhor Jashtë Vëmëndjes

FIER, 7 Korrik /ATSH - Rr.Isufaj/. -Edhe pse kanë kaluar disa muaj nga rrëshqitjet masive të dheut, linja hekurudhore Rrogozhinë -Vlorë nuk është vënë plotësisht në funksionim. Funksionon shërbimi i transportit të mallrave, ndërkohë që shërbimi i transportit të pasagjerëve është ndërprerë. Sipas drejtorit të shërbimit hekurudhor Fier, Mustafë Gashi, linja hekurudhore në disa vende është e rrezikshme dhe nuk garanton siguri për shkak të dëmtimeve të tokës nga rrëshqitjet. "Dimri i kaluar solli mjaft probleme me linjën hekurudhore të Fierit. Shkarjet masive shkatërruan segmente të konsiderueshme të udhës së hekurt, dhe shkak për ndërprerjen e shërbimit hekurudhor për pasagjerët është bërë devijimi i trasesë në vendin e quajtur fshati Vanaj, në Komunën e Libofshës", thotë Gashi. Sipas tij, "problematika me të cilën përballet linja hekurudhore është e gjerë. Mungesa e investimeve, amortizimi, mbikalimet dhe ndërtimet e jashtëligjëshme janë gangrena disa vjeçare që ka filluar të shkatërrojë këtë shërbim". "Ndërtimet pa leje nuk kanë kursyer as sipërfaqet pranë linjave hekurudhore. Me ligj ndalohet në mënyrë kategorike çdo lloj ndërtimi që është nën 25 m largësi nga aksi i hekurudhës", shprehet ai. "Çuditërisht persona të ndryshëm kanë ndërtuar edhe 10 m larg aksit dhe pushteti vendor dhe inspektoriati ndërtimor heshtin", shton Gashi. Sipas tij, "mbikalimet janë bërë një dukuri e zakonshme dhe askush nuk mendon për masat e sigurisë dhe zbatimin e kodit hekurudhor". "Nga Rogozhina në Vlorë, në këtë gjatësi linje hekurudhore, përveç objekteve pa leje janë verifikuar edhe mbikalime të sajuara, të cilat kapin numrin 300", tha Gashi, duke shtuar se "Drejtoria e Shërbimit Hekurudhor ka ngritur një grup kontrolli dhe po mban evidencën e të gjitha objekteve të jashtëligjëshme që ngrihen përgjatë linjës hekurudhore, si dhe mbikalimet". Gashi tha se do kërkojmë me insistim prishjen e këtyre objekteve, zbatimin e ligjit dhe kodit hekurudhor. "Ka ardhur koha që duhen kthyer sytë nga transporti hekurudhor. Ky është shërbimi më konkurues dhe ekonomik nëqoftëse shoqërohet me investime dhe zbatimin rigorioz të ligjit", thotë ai./s.d/
KOMENTE