English

Has, Rritet Fluksi I Udhëtarëve Dhe Mallrave Në Doganën E Qafë Prushit

HAS, 7 Korrik/ATSH-R.Hoxha/.- Afërsia e zonës së Hasit me Kosovën (vetëm 26 kilometra është largësia e qytetit të Krumës me Gjakovën), lidhjet fisnore e miqësore të banorëve nga të dy anët e kufirit dhe tregu i mallrave të konsumit më i zhvilluar janë shkaqet kryesore që kanë shtuar ndjeshëm fluksin e lëvizjes në të dy anët e kufirit përmes doganës së Qafë Prushit. "Këtë e favorizon edhe fakti se jemi e njëjta krahinë, por e ndarë më dysh nga kufiri", thotë kryetari i bashkisë së Krumës, Bardhyl Peka. Krahina e Hasit përbëhet nga 56 fshatra, prej të cilave 32 janë në territorin shqiptar (rrethi i Hasit) dhe 24 në territorin e Kosovës, që administrativisht janë ndarë mes komunave të Prizrenit dhe Gjakovës. Ndërsa vetëm gjatë këtij 10 vjeçari të fundit janë martuar në Kosovë nga rrethi I Hasit 24 vajza. Po ashtu, çmimet në tregun e Gjakovës janë më të lira, gjë që favorizohet edhe nga kostoja e ulët e transportit. "Janë këto arsyet që fluksi i lëvizjes në të dy anët e kufirit është në rritje", thotë Peka. "Tashmë furnizohemi kryesisht në Gjakovë me tregtarët e së cilës kemi marrëdhënie të mira kontraktuale", thotë tregtari Osman Peka. Sipas tij, fitimi është edhe në koston e ulët të transportit të mallit, por edhe në çmimin, i cili është 20- 30 për qind më i ulët se në tregun e Tiranës. Ndërsa jo pak banorë të Krumës e fshatrave përreth tij i drejtohen direkt tregut të Gjakovës, të paktën një herë në javë, ditën e enjte, kur është edhe dita e tregut në këtë qytet. "Gjatë javës së parë të korrikut, përmes doganës së Qafë Prushit kanë hyrë e dalë në të dy anët e kufirit 180- 220 persona brenda 24 orëve me 22 -28 mjete", thanë burime zyrtare të policisë kufitare. Të njëjtat burime saktësojnë se në këtë periudhë punohet edhe me dy turne, nga një turn që punohej deri në fund të muajit qershor./s.s./
KOMENTE