Kinë - Vritet Një Prift Dhe Një Murgeshë E Kishës "Klandestine"
PEKIN, 7 korrik /ATSH-ANSA/ - Një prift dhe një murgeshë e Kishës katolike "klandestine" në Kinë janë vrarë në rrethana jo shumë të qarta në Wuhai, në provincën kineze të Mongolisë. Lajmi, që u publikua nga fondacioni "Laogai Research Foundation Italia Onlus", është konfirmuar edhe nga funksionarë të policisë së Wuhait, të intervistuar nga ANSA.
Funksionarët konfirmuan se dy të sipërpërmendurit janë vrarë, por ata nuk pranuan të jepnin detaje duke shpjeguar se për ngjarjen ka nisur një hetim.
Katolikët e zonës rrëfyen se trupi i at Zhang Shulai, 55 vjeç, kishte shtatë plagë të shkaktuara nga një thikë ndërsa murgesha Wei Yanhui, 32 vjeç, është vrarë me një goditje të vetme në kraharor.
Katolikët "klandestinë", më saktësisht ata që nuk anëtarësohen në "Shoqatën e Katolikëve Patriotë" themeluar nga qeveria kineze, janë atë që refuzojnë ta njohin Pekinin si autoritetin më të lartë. Ata në fakt njohin Vatikanin si autoritetin më të lartë të Kishës.
Besimtarët katolikë kinezë që janë anëtarësuar në këtë shoqatë janë rreth katër milionë, por besohet se besnikët e të ashtuquajturës Kisha "klandestine" janë dyfish. Pekini dhe Vatikani nuk kanë marrëdhënie diplomatike që prej vitit 1951, kur ambasadori Apostolik i Papës u transferua nga Kina në Tajvan, ku qëndron edhe sot. Megjithatë prej kohësh Selia e Shenjtë dhe vet Papa, me një letër historike drejtuar katolikëve kineze në vitin 2007, po përpiqen të rifillojnë marrëdhëniet diplomatike. Madje është ndërtuar edhe një komision bilateral, por, me informata nga burime lokale, besimtarët e Kishës "klandestine" vazhdojnë të keqtrajtohen dhe të persekutohen.
/e.v/