Tiranë, 7 korrik, NOA – Ndërsa kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, se do të ketë shkurtime në buxhetin e vitit 2010, nënkryetarja socialiste e Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli shprehu shqetësimin e opozitës në këtë komision, për këtë iniciativë të kreut të qeverisë, shpallur vetëm tre javë para mbylljes së sesionit parlamentar, duke thënë se PS, nuk do të lejojë diskutimin në afate qesharake të ndryshimit të buxhetit të krizës.
Deputetja Kodheli theksoi në Komision, se “Për shkak të krizës së rëndë ekonomike dhe financiare, qeveria ka lajmëruar ndryshimin e buxhetit të shtetit për vitin 2010. Iniciativa për të ndryshuar buxhetin, konfirmon qartësisht analizat tona mbi krizën ekonomike dhe financiare që ka prekur tashmë thellësisht buxhetin, pasi rrënoi totalisht buxhetet familjare”.
Por, deputetja e Partisë Socialiste, evidentoi se “shqyrtimi i ligjit që ndryshon buxhetin e vitin 2010 në këtë moment të krizës ka një rëndësi jetike. Ai duhet të jetë një shqyrtim serioz dhe tejet transparent, i hapur për diskutime me të gjitha grupet e interesit e ministritë përgjegjëse”.
Sipas Kodhelit, rregullorja e kuvendit në 8 nene të saj garanton dhe normon të drejtën e deputetit për të audituar thellësisht buxhetin e shtetit.
“Sot jemi në 7 korrik, të hënën data është 12 korrik, qeveria nuk e ka miratuar vetë dhe nuk ka dorëzuar në kuvend ende ligjin për ndryshimin e buxhetit”, nënvizoi Mimi Kodheli.
Ajo vuri në dukje se sipas kushtetutës sesioni parlamentar duhet të mbyllet në fund të këtij muaji, ndaj sipas Kodhelit, pikërisht për këtë shkak qeveria po i mohon deputetëve dhe çdo qytetari, të drejtën për t’u informuar dhe audituar në thellësi, buxhetin e krizës, buxhet të cilin po e paguajnë qytetarët dhe po e vjedhin pushtetarët.
Deputetja Mimi Kodheli në emër të PSË-së, deklaroi se “nuk do të lejojmë diskutimin në afate qesharake të buxhetit të krizës. Do ta ndalojmë me çdo mjet procedural dhe demokratik një buxhet që do të thellojë akoma më shumë grabitjen e qytetarëve”.
Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli shprehu në këtë mbledhje të komisionit edhe pakënaqësinë për situatën e krijuar në Komisionin e Ekonomisë , sipas saj, një situatë thellësisht jo profesionale dhe rrugaçërore, e inskenuar si e tillë nga një komisar politik, jashtë profesionit të tij, që komandon politikisht një komision profesional siç është ai i ekonomisë.
Deputetja Mimi Kodheli kërkoi nga anëtarët e Komisionit të Ekonomisë që të normalizohet sipas rregullores së Kuvendit veprimtaria e Komisionit të Ekonomisë.
mit/NOA