English

Komisioni I Ligjeve Miraton Kandidaturën E Mehdi Bicit Dhe Rrëzon Atë Të Sokol Çomos

TIRANË, 7 Korrik /ATSH-M.Shkurta/ - Komisioni parlamentar i Ligjeve i propozoi sot Kuvendit të Shqipërisë për miratim kandidaturën e Medi Bicit, në detyrën e anëtarit të Gjykatës së Lartë, ndërsa i propozoi që të mos e votojë kandidaturën e Sokol Çomos për të njëjtin post. Pas seancave dëgjimore me tre kandidatët për në Gjykatën e Lartë, përkatësisht Medi Bicit, Sokol Çomos dhe Vexhi Muçmataj, komisioni i Ligjeve u mblodh sot për të vendosur për 3 emrat, si dhe për të shqyrtuar relacionin për secilin kandidat. Komisioni u njoh me relacionet e përgatitura për dy kandidaturat e mësipërme, ndërsa deputeti i PD-së, Viktor Gumi, nuk paraqiti relacionin lidhur me kandidaturën e Vexhi Muçmatajt, me pretendimin se ai do të vihet në dispozicion të komisionit në mbledhjen e radhës. Para shqyrtimit të relacioneve për tre dekretet, opozita kërkoi shtyrjen e tyre për ditën e hënë, pretendim i cili u kundërshtua nga maxhoranca. Nënkryetari socialist i komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, u shpreh se "komisionit i duhet dhënë legjitimiteti i duhur", ndërsa deputeti tjetër i PS-së, Pandeli Majko, e quajti "fyes" qëndrimin e shumicës ndaj tre kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë . Ndërkohë, sekretari i komisionit të Ligjeve, Eduart Halimi, reagoi duke thënë se koha ishte e mjaftueshme dhe se shtyrja nuk është e nevojshme. Mes debatesh, pak kohë pas fillimit të mbledhjes, socialistët u larguan nga mbledhja, ndërsa maxhoranca mbështeti relacionin e përgatitur nga deputeti i PD-së, Fatos Hoxha për kandidaturën e Sokol Çomos. Ai parashtroi një sintezë të seancës dëgjimore të zhvilluar me kandidatin, duke konkluduar se kandidatura e Çomos "ka mangësi dhe mungesë besueshmërie në integritetin profesional dhe atë moral". Në krye të drejtësisë shqiptare, u theksua gjatë relatimit, "duhet të vihen figura që nuk kanë milituar në institucionet vendimmarrëse, pavarësisht se kujt krahu politik i përkasin. Si e tillë kandidatura e Çomos në majat e drejtësisë shqiptare nuk mund të jetë e besueshme". Në përfundim të mbledhjes, me shumicë votash u miratua propozimi i relatorit Hoxha që komisioni t'i kërkojë seancës plenare të votojë mosmiratimin e kandidaturës së Sokol Çomo për anëtar të Gjykatës së Lartë. Lidhur me kandidaturën e Medi Bicit, anëtarët e djathtë të komisionit vlerësuan se, ajo garanton besueshmëri dhe jep garanci për publikun e gjerë në dhënien e drejtësisë për një gjykatë të pavarur, profesionale dhe të pakorruptuar. Në përfundim, relatori Dashnor Sula i propozoi komisionit të Ligjeve miratimin e kësaj kandidature dhe dërgimin në seancë plenare për t'iu nënshtruar votimit për dhënie pëlqimi. Gjatë kësaj jave komisioni i Ligjeve ka zhvilluar seanca të veçanta dëgjimore me tre kandidatët e propozuar nga Presidenti i Republikës për emërimin në tre poste vakante në Gjykatën e Lartë./s.s./
KOMENTE