Kosova Pret Neser Mikun E Madh, Tony Blair
R
PRISHTINË, 7 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, më 8 dhe 9 korrik do të qëndrojë për një vizitë në Kosovë, me ftesë të kryeministrit Hashim Thaçi.
Për mikun e madh të Kosovës, siç vlerësohet Blair, Qeveria dhe të gjitha institucionet e vendit kanë organizuar një pritje të nivelit më të lartë shtetëror.
Kryeministri Thaçi sot pasdite në mbledhjen e Qeverisë, duke paralajmëruar vizitën e Blair tha se "ai është lider i përmasave botërore, është një hero vërtetë i Kosovës, prandaj edhe meriton një pritje më të lartë edhe ceremoniale shtetërore, por edhe gjithëpopullore".
Sipas një njoftimi të dhënë nga kryeministria, nesër para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, ish-kryeministri Blair do të pritet nga kryeministri Thaçi, me nderimet më të larta të Gardës Ceremoniale të Forcës së Sigurisë të Kosovës.
Ish-kryeministri britanik Blair, gjatë vizitës në Republikën e Kosovës, përveç takimit me kryeministrin Thaçi, do të pritet edhe nga Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi.
Blair do t'i drejtohet Kuvendit të Republikës së Kosovës në një seancë plenare.
Kjo është vizita e parë në Kosovë e ish-kryeministrit të Britanisë së Madhe, Tony Blair, pas shpalljes së pavarësisë.
Tony Blair ka qene në Prishtinë në korrik të vitit 1999. /a.ke/