English

Kosove - Thaci Vlereson Prezantimin E Kosoves Ne Keshillin E Sigurimit Te Okb-Se

-së PRISHTINË, 7 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës sot pasdite, kryeminsitri Hashim Thaçi vlerësoi se dje në Nju Jork, në Këshillin e Sigurimit "Ministri i Jashtëm Skender Hyseni ka bërë një prezantim dinjitoz, të përpiktë, të qëndrueshëm dhe plotësisht në përputhshmëri me axhendën e shtetit të Kosovës, me mbështetjen e plotë të partnerëve dhe miqve tanë". Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ishte kërkuar nga Serbia pas shpërthimit të së premtës në veri të Mitrovicës, si pasojë e të cilit humbi jetën një e u plagosën dhjetë qytetarë, ndersa po zhvillohej një protestë e rreth njëmijë serbëve kundër hapjes së Zyrës së Qeverisë së Kosovës në "Lagjen e Boshnjakëve" të banuar me shqiptarë. "Është me interes për të gjithë, siç u theksua edhe në Nju Jork, që Beogradi të largohet dhe distancohet nga inspirimi i dhunës dhe njerëzve të dhunës në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës, sepse për ne ka qenë dhe është e papranueshme gjendja që ekziston", theksoi kryeministri Thaçi. Zyra në veri, tha ai, është hapur me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërsa është në shërbim të gjithë njerëzve pa dallim etnik, që jetojnë atje. "Pres shumë shpejt që do të vijë vendimi tjetër për funksionimin e gjykatës në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës", shtoi Thaçi. "Gjithë ky angazhim do të përcillet me ligjshmëri të plotë, me rend dhe ligj, por edhe me ballafaqim me drejtësinë të atyre që e shkelin ligjin", tha ai. /a.ke/
KOMENTE