Gjenevë, 7 korrik, NOA – Ndër 155 kryetarë parlamentesh në mbarë botën, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli është zgjedhur zëvendës Presidente e Unionit Ndërparlamentar Botëror (IPU), një ndër organizmat më të rëndësishëm të politikës botërore, që ka në fokus dialogun ndërparlamenar dhe bashkërendimin e axhendave në përballimin e sfidave me interes global, si dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Në cilësinë e zëvendës Presidentes, zonja Topalli është e ftuar nga Presidenti i IPU-së, Dr. Theo-Ben Gurirab, në Konferencën e tretë botërore të Kryetarëve të Parlamenteve, një samit global mbi rolin thelbësor të institucioneve legjislative në politikën botërore dhe marrëdhënien e tyre me Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Ky takim i nivelit të lartë do të mbahet në qendrën e IPU-së, në zyrat e Kombeve të Bashkuara, i njohur si Pallati i Kombeve, në Gjenevë, më 19-21 korrik.
Tema qendrore e këtij evenimenti është “Parlamentet në një kohë krize botërore; sigurimi i një demokracie globale për të mirën e përbashkët”.
Sikundër bën të ditur zyra e shtypit pranë kryesisë së kuvendit, Kryeparlamentarja Topalli do të mbajë në këtë konferencë një fjalim mbi “Forcimin e besueshmërisë politike mes parlamentit dhe qytetarëve”.
Më parë, Kryetarja e Kuvendit do të marrë pjesë edhe në Konferencën e gjashtë vjetore të grave kryeparlamentare, që do të mbahet në Bernë të Zvicrës, më 16-17 korrik.
Lajtmotiv i këtij takimi të grave kryeparlamentare do të jenë jo vetëm sfidat për arritjen e barazisë gjinore, por në veçanti edhe arritja e Objektivave të Mijëvjeçarit për kujdesin ndaj foshnjave dhe nënave.
Konferenca pritet të kontribuojë edhe në përgatitjet e takimit mbi rishikimin e Objektivave të Mijëvjeçarit, që do të mbahet në shtator në Selinë e Kombeve të Bashkuara në Neë York.
mit/NOA