English

Opozita Braktis Mbledhjen E Komisionit Të Ligjeve

TIRANË, 7 Korrik/ATSH-Mira Shkurta/.- Deputetët e Partisë Socialiste, anëtarë të komisionit të Ligjeve, braktisën të mërkurën paradite mbledhjen, ku po shqyrtohen relacionet për dekretet e Presidentit të Republikës mbi emërimet e tre anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, përkatësisht Medi Bicit, Sokol Çomos dhe Vexhi Muçmataj. Para shqyrtimit të relacionit për tre dekretet, opozita kërkoi shtyrjen e tyre për ditën e hënë, por kjo u kundërshtua nga maxhoranca. Nënkryetari socialist i komisionit Fatmir Xhafaj u shpreh se "komisionit i duhet dhënë legjitimiteti i duhur", ndërsa deputeti tjetër i PS-së Pandeli Majko e quajti "fyes" qëndrimin e shumicës ndaj tre kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Emrat e propozuar nga kreu i shtetit për postet vakante në institucionin më të lartë gjyqësor në vend gjatë kësaj jave u dëgjuan në seanca të veçanta në komisionin e ligjeve, ku deputetët i drejtuan pyetje lidhur me karrierën e tyre profesionale, integritetin e tyre në gjyqësor etj. /a.s/k.sh/
KOMENTE