Sarandë, 7 korrik, NOA – Promovimi i koncepteve të policimit demokratik dhe të partneritetit mes publikut dhe organeve të zbatimit të ligjit ishte në qendër të një raundi tryezash të rrumbullakëta mes OSBE-së dhe ekspertëve të POlicisë së Shtetit, të zhvilluara në mbarë vendin, dhe të përmbyllura sot në qytetin e Sarandës.
Prezenca e OSBE-së, në Tiranë, paraqiti në këto takime tre botime të OSBE-së në fushën e policimit, të cilat do t’i shërbejnë Policisë së Shtetit si materiale reference në përpjekjet e saj për të zbatuar dhe përmirësuar strategjinë afatgjatë të policimit në komunitet.
Sikundër bën të ditur zyra e shtypit pranë OSBE-së, i pranishëm në këto takime ishte edhe kreu i OSBE-së, në Tiranë, ambasadori Robert Bosch, i cili tha se “Ekzistenca e strategjive dhe planeve të veprimit përbën një themel të fortë për përhapjen e policimit në komunitet”.
Në këtë kontekst, ambasadori Bosch theksoi se “megjithatë, një dialog i hapur me të gjithë aktorët është thelbësor në këtë drejtim. Tryezat e rrumbullakëta përbëjnë një fillim të mirë për forcimin e marrëdhënieve mes organeve të zbatimit të ligjit dhe qytetarëve,” u shpreh Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Robert Bosch.
Ndërsa drejtoritë Rajonale të Policisë paraqitën strategjitë rajonale dhe planet e veprimit për policimin në komunitet për zonat që ata mbulojnë.
Në takimet e përmbyllura sot, merrnin pjesë përfaqësues të organeve të zbatimit të ligjit, qeverisë vendore, gjyqtarë, mësues, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të pakicave dhe të medias.
Mbi temën e policimit në komunitet u mbajtën plot trembëdhjetë tryeza të rrumbullakëta gjatë periudhës shkurt-korrik 2010, me pjesëmarrjen e rreth 600 personave.
Projekti u zhvillua në kuadrin e veprimtarive të OSBE-së në mbështetje të Policisë së Shtetit shqiptar.
mit/NOA