English

PS:Diskutimi për kandidaturat e Gjykatës së Lartë, farsë politike

Tiranë, 7 korrik, NOA - Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste e konsideron të papranueshëm procesin dhe qëndrimin e maxhorancës për kandidaturat e emëruara nga Presidenti i Republikës për anëtarë të Gjykatës së Lartë, duke e cilësuar si një proces të ngutshëm dhe një farsë politike, që nëpërkëmb integritetin e kandidaturave të miratuara nga Presidenti Bamir Topi dhe synon mbylljen e hesapeve të përfaqësuesve të qeverisë me drejtësinë.

Në emër të grupit parlamentar të PS-së, foli nënkryetari i tij, Saimir Tahiri, i cili deklaroi se “nguti i sotëm i përfaqësuesve të PD-së në komisionin parlamentar të ligjeve, për të miratuar me urgjencë relacionet e përgatitura prej tyre, e të vëna në dispozicion të deputetëve të opozitës vetëm sot gjatë mbledhjes, është një tjetër shenjë e vendimit politik të Sali Berishës, për të konsideruar e vlerësuar nën diktatin partiak kandidaturat e miratuara nga Presidenti i Republikës.

“Grupi Parlamentar i PS-së e konsideron këtë proces si të montuar politikisht që jo vetëm nëpërkëmb thellësisht integritetin e kandidaturave të miratuara nga Presidenti i Republikës, por gjithashtu nëpërkëmb edhe integritetin e të gjithë trupës së gjyqtarëve, duke imponuar konformitetin dhe bindjen politike ndaj partisë në pushtet si kriterin kryesor dhe të vetëm për të përfituar pëlqimin e parlamentit për anëtar të Gjykatës së Lartë”, deklaroi deputeti Saimir Tahiri .

Sipas, grupit të PS-së, diktimi partiak i kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë ka për qëllim mbylljen e hesapeve që përfaqësuesit e Sali Berishës dhe kësaj qeverie kanë me drejtësinë, për shkak të akuzave publike për korrupsion, duke kalçifikuar më tej kulturën e pandëshkueshmërisë ndaj zyrtarëve të lartë me imunitet qeveritar e parlamentar.

Tahiri nënvizoi se “ky proces ishte një farsë politike e diktuar nga interesat e partisë në pushtet për të uzurpuar dhe nënshtruar sistemin gjyqësor dhe institucionet e pavarura kushtetuese. Kjo praktikë e përsëritur edhe më parë nga Sali Berisha dhe qeveria e tij, vjen në kundërshtim me Kushtetutën dhe praktikat më të mira parlamentare për miratimin e kandidaturave bazuar mbi kriteret e meritës profesionale e jo të bindjes partiake”.

Grupi i PS-së, parashikoi se “procesi farsë i realizuar në komisionin e ligjeve, që do të përfundojë me votimin e hapur nominal në seancë plenare, jo vetëm që cënon pavarësinë e pushtetit gjyqësor, por njëkohësisht përbën goditjen e radhës ndaj institucioneve që luajnë një rol thelbësor në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, veçanërisht ndaj zyrtarëve të lartë me imunitet.

mit/NOA
KOMENTE