Qeveria Miraton Kuotat Për Universitetet, Rritet Me 11 Për Qind Numri I Studentëve
- Kryeministri Sali Berisha tha se këtë vit pranohen në universitetet publike të vendit rreth 23 534 studentë -
TIRANË, 7 Korrik/ATSH-Maela Marini/.- Këshilli i Ministrave miratoi sot kuotat për universitetet publike të vendit, ku këtë vit ka një rritje prej 11 për qind të numrit të studentëve krahasuar me vitin e kaluar.
Në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri Sali Berisha theksoi se këtë vit pranohen në universitetet publike të vendit
rreth 23 534 studentë, në 181 degë dhe profile të shkollave të larta.
"Kjo përbën një rritje të rëndësishme dhe një hap të madh përpara drejt objektivit tonë që në 3 vitet e ardhshme të arrijmë në 150 mijë studentë në shkollat publike dhe private të vendit", tha Kryeministri Berisha.
Berisha tha se "krahasuar me 1 vit më parë, rriten pothuaj me tre herë pranimet në shkencat e shoqërisë së informacionit dhe teknologjisë së lartë". Kjo rritje, sipas Kryeministrit, "është e domosdoshme në kuadrin e ndërtimit të Shqipërisë dixhitale".
Ai tha se "gjatë këtij viti është rritur në 17 numri i shkollave profesionale që kanë degë të Teknologjisë së Informacionit". "Këtë vit në universitetet publike pranohen 4 170 studentë dhe kjo përbën një numër të konsiderueshëm. Ndërsa degët e lidhura me teknologjinë e informacionit, si shkencat inxhinierike dhe shkencat natyrore, marrin këtë vit 33 për qind të të gjitha pranimeve", tha Berisha.
Ndërkohë, sipas tij, "ka një rrudhje në disa degë të tjera ku kërkesat e tregut janë më të pakta". "Mbi 20 për qind e pranimeve janë në fushën e ekonomisë. Pra ka një përpjekje serioze për t'u përshtatur me kushtet e tregut. Gjuhët e huaja zënë rreth 7 për qind të pranimeve dhe nga këto rreth 70 për qind i përkasin gjuhës angleze", tha Berisha.
Kryeministri Berisha ftoi universitetet private që të rrisin numrin e studentëve në fushën e teknologjisë së informacionit. "Ka prej tyre që kanë aplikuar për të hapur këto degë dhe ne mbi bazën e plotësimit të kushteve duhet t'ua miratojmë ato. Sikundër do të kërkoja të shqyrtohet mundësia edhe në shtimin e pranimeve në gjuhë të huaja, ku gjuha angleze duhet të ketë përparësi", tha Berisha.
Gjithashtu, Kryeministri siguroi se "nuk do të ketë rritje të taksave për arsimin e lartë". "Drejtuesit e universiteteve duhet të dinë se qeveria do i kompensojë ata me buxhet, por duke ruajtur kuotat e këtij viti. Nuk mund të lejojë që studentët të tatohen më shumë", tha Berisha.
Ai informoi se "shumë shpejt do të organizohen edhe një seri debatesh me drejtues të universiteteve për mekanizmin e ri financiar të universiteteve, që do t'i japë një përgjigje më të mirë këtij problemi".
"Ne do të vendosim se cilat do të jenë rrugët e financimit, do të kontraktojmë mekanzima të reja financiarë për studentët që t'u krijojmë atyre mundësi të reja. Do të fillojë sistemi i kreditimit dhe kjo do të bëjë që të ketë një frymëmarrje financiare më të madhe nga ana e universiteteve", tha Berisha. /s.s./