English

Shëndetësi-Nënshkruhet I Pari Memorandum Bashkëpunimi Me Serbinë

- Gjatë një vizite zyrtare të ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, në Beograd, me ftesë të ministrit serb, Tomica Milosavjlevic - TIRANË, 7 Korrrik/ATSH-Eriola Çuko/ - Shqipëria dhe Serbia do të bashkëpunojnë në fushën e shëndetësisë, e konkretizuar kjo në të parin memorandum të nënshkruar dje në Beograd nga dy ministrat përkatës të Shëndetësisë. Zyra e shtypit e Ministrisë së Shëndetësisë bëri të ditur sot se memorandumi u nënshkrua gjatë një vizite zyrtare të ministrit Petrit Vasili në Beograd, me ftesë të ministrit serb Tomica Milosavjlevic. Sipas ministrit Vasili, "objektivat e këtij Memorandumi Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi do të promovojnë krijimin dhe zhvillimin e lidhjeve të bashkëpunimit ndërmjet organizmave publikë dhe privatë për çështje që kanë të bëjnë me mbrojtjen e shëndetit dhe mjekësinë". Bashkëpunimi do të fokusohet në trajnimin, shkëmbimin e specialistëve, në fushën teknike dhe teknologjike, promovimin e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare në rajon dhe të ndihmojë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë të rajonit. Fushat e bashkëpunimit për çështje të shëndetësisë dhe të mjekësisë, të konsideruara me interes të veçantë, janë aspektet institucionale, legjislative dhe rregullatore, që kanë të bëjnë me shëndetin, kujdesin shëndetësor dhe mjekësinë në kuadrin e integrimit në BE, trajnimi i specialistëve të shëndetësisë në shkollat respektive të shëndetësisë (shkollat e shëndetit publik dhe ato të mjekësisë do të identifikohen nga specialistët e të dyja palëve), ndërgjegjësimi, informimi dhe edukimi i shoqërisë me çështjet që lidhen me mjekësinë, etj. Gjatë vizitës së tij në Beograd, ministri Vasili vizitoi Institutin e Shëndetit Publik "Batut" në Beograd dhe kompaninë farmaceutike Galenika. Ndërkohë, ministri serb i Shëndetësisë pritet të vizitojë Shqipërinë, me ftesë të ministrit Vasili, gjatë së cilës parashikohet nënshkrimi i bashkëpunimeve të tjera mes institucioneve shëndetësore shqiptare dhe serbe./s.s./
KOMENTE